Me aktivitete dhe programe artistike nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë është shënuar nga institucionet turke në Shqipëri Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe Fëmijëve, që shënohet si festë shtetërore në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, u takua në ambientet e zyrës së tij me nxënës të shkollave të Fondacionit Turk Maarif. Nxënësit Almir Likaj dhe Jusra Hallaçi, duke u ulur në karrigen e ambasadorit në zyrën e tij si “ambasadorë në detyrë”, prezantuan veten e tyre, duke folur edhe për synimet e tyre në të ardhmen.
%2F20220422_2_53215508_76133630.jpg)
Më pas aktivitetet vazhduan në ambientet e shkollave të Fondacionit Turk Maarif, shkollës së mesme dhe asaj 9-vjeçare "New York Schools", ku përveç ambasadorit Yörük, të pranishëm ishin edhe ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në Qeverinë e Shqipërisë, Bora Muzhaqi, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Dr. Emine Gizem Başkan, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti, administratori i shkollave të Fondacionit Turk Maarif, "New York Schools", Mehmet Işıker, nxënës dhe prindër.
Ambasadori Yörük gjatë fjalës së tij në aktivitet foli mbi Ditën e Sovranitetit Kombëtar dhe Fëmijëve, duke theksuar se me rastin e 23 Prillit, kuvendi i parë që hodhi themelet e Asamblesë së sotme të Madhe Kombëtare të Turqisë u krijua në Ankara më 23 prill 1920.
"Jam shumë i nderuar të festoj 23 Prillin, festën e vetme që u dhurohet fëmijëve në botë me të gjithë ju sot. Mustafa Kemal Ataturku dhe vëllezërit e tij të luftës sfiduan sulmet e forcave pushtuese gjatë kohës që Turqia ishte nën pushtim dhe ndërkohë themeloi parlamentin e parë 102 vjet më parë", tha ai.
Duke theksuar se prej 102 vitesh Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë vazhdon veprimtarinë e saj dhe mban vullnetin e kombit mbi të gjitha parimet demokratike, Yörük shtoi se "Sot, nën udhëheqjen vizionare të presidentit Recep Tayyip Erdoğan, vazhdon fuqishëm aktivitetet e saj”.
Ambasadori Yörük shtoi më tej se "Ndikimi i luftës midis Federatës Ruse dhe Ukrainës mbi fëmijët e pafajshëm është zemërthyes. Turqia, si një anëtare udhëheqëse e NATO-s, po punon shumë për t'i dhënë fund kësaj lufte dhe për të ndalur lotët e fëmijëve. Siç thotë presidenti ynë Recep Tayyip Erdoğan, e vetmja gjë që e bën botën të bukur ku ndodhin luftërat, konfliktet, uria dhe varfëria, është buzëqeshja e fëmijëve".
Duke iu drejtuar fëmijëve, ambasadori turk u shpreh se "Ju keni një jetë të gjatë përpara dhe besoj me gjithë zemër se secili prej jush do të luajë një rol të rëndësishëm për Shqipërinë në të ardhmen".
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në Qeverinë e Shqipërisë, Bora Muzhaqi, duke përshëndetur edhe në turqisht të pranishmit, tha se ka jetuar për disa muaj në Izmir dhe se ka një marrëdhënie shumë të fortë me Turqinë.
"Kam kujtime shumë të mira se sa e mrekullueshme është kjo ditë për të gjithë fëmijët në Turqi dhe të gjithë fëmijët e botës dhe se si ata e kanë këtë mundësi të jenë të bekuar me këtë ditë të mrekullueshme që ka të bëjë me ta. Ato mund të festojnë të gjithë së bashku dhe te kënaqen duke marrë gjithë vëmendjen nga mësuesit e tyre, prindërit dhe të gjithë ata që i duan dhe më e rëndësishmja që besojnë tek ato, sepse mendoj se gjëja që duhet të bëjmë gjithmonë duhet të jetë për fëmijët, sepse ata janë ëndërrimtarë, vizionarë dhe krijues", tha Muzhaqi.
Ajo tha se Fondacioni Maarif u ofron fëmijëve në shkolla mundësinë për t'u përfshirë në arte dhe zeje artizanale dhe aktivitete, sipas saj për të mësuar më shumë rreth teknologjisë, duke shtuar se “ky është qëllimi ynë gjithashtu, ky është qëllimi ynë për të gjithë.”
"Dua të përmend gjithashtu se ne kemi një bashkëpunim kaq të mrekullueshëm me Turqinë duke filluar nga shkollat Maarif dhe duke vazhduar me kaq shumë biznese që kanë punësuar studentët dhe të rinjtë tanë në Shqipëri. Më vjen mirë që ky bashkëpunim vetëm sa bëhet më i fortë ndërsa ne ecim përpara. Pres me padurim gjërat e mëdha që fondacioni Maarif do të arrijë në Shqipëri për përgatitjen e studentëve për t'u bërë individë të suksesshëm në të ardhmen", theksoi Muzhaqi.
Administratori i shkollave të Fondacionit Turk Maarif, "New York Schools", Mehmet Işıker, tha se shkollat e Fondacionit Turk Maarif synojnë të ofrojnë shërbime arsimore cilësore në të gjithë botën dhe të edukojnë studentë që do të përdorin njohuritë dhe mençurinë e tyre për të mirën dhe paqen e njerëzimit dhe sipas tij "më e rëndësishmja për t'i shërbyer vendeve të tyre si qytetarë të mirë.
"Në shkollat New York ne besojmë se çdo nxënës është një individ unik me dhunti dhe talente të veçanta. Ne besojmë se me motivim, inkurajim dhe punë të palodhur të gjithë fëmijët mund të zbulojnë talentet e tyre individuale. Qëllimi ynë është të jemi më të mirët me cilësinë e arsimit që ofrojmë”, tha Işıker.
Sipas tij, të diplomuarit e shkollave të Fondacionit Maarif janë duke studiuar në universitetet më të mira në botë dhe gjithashtu në Shqipëri.
Në fund u mbajt edhe një program artistik nga nxënësit me valle dhe këngë në shqip dhe turqisht.