Saimir Alija
08 Qershor 2019•Përditësim: 09 Qershor 2019
Partitë opozitare të Shqipërisë kanë mbajtur protestën e radhës antiqeveritare, e cila është shoqëruar me tensione dhe përdorim të gazit lotsjellës nga policia, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit opozitarë u mblodhën fillimisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për të vijuar në drejtim të selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë me sloganin “Nuk ka zgjedhje pa opozitën”.
Protesta u organizua nga Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), me kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Në fjalën e tij gjatë protestës, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, tha se “opozita kërkon liri, demokraci, sundim të ligjit dhe ndarje dhe balancim të pushteteve”.
Duke iu drejtuar protestuesve, Basha tha se “Në emrin tuaj dua të siguroj këdo, mik e aleat që na dëgjon sot për zotimin tonë të parë, ditën e parë të kësaj beteje më 16 shkurt, se ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se parimet, vlerat e normat e standardet e Evropës demokratike, se normat e standardet e SHBA-ve".
Pas fjalës së Bashës, protesta u zhvendos para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa është shoqëruar me tensione dhe përplasje, ndërsa protestuesit përdorëm tymuese dhe kapsolla.
Për shpërndarjen e protestuesve, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Lidhur me protestën e opozitës ka reaguar presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili bëri thirrje drejtuesve të opozitës të ndalojnë protestën.
Ndërkohë qindra forca policore u angazhuan pranë selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera për të shmangur incidentet gjatë protestës.
Partitë opozitare që pas dorëzimit të mandatave parlamentare në muajin shkurt kanë organizuar disa protesta, ndërsa insistojnë në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Edi Rama, kundërshton idenë për qeveri tranzitore, ndërsa partia në pushte.
Kujtojmë se presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka vendosur të shfuqizojë dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më 30 qershor 2019, ndërsa nuk ka dekretuar një datë të re.