Stipe Mayiç
17 Qershor 2016•Përditësim: 17 Qershor 2016
ZAGREB (AA) - Ministri kroat i Kulturës Zlatko Hasanbegoviç dhe ministrja shqiptare e Kulturës Mirela Kumbaro Furxhi nënshkruan programin e bashkëpunimit në fushën e kulturës mes dy ministrive për periudhën 2016-2019, raporton Anadolu Agency (AA).
Fjala është për programin e pestë të bashkëpunimit i cili është përgatitur në bazë të marrëveshjeve për bashkëpunim arsimor, kulturor dhe shkencor në mes dy qeverive, të nënshkruar në Tiranë më 1 shkurt 1994.
Programi i nënshkruar nga ministrat rregullon bashkëpunimin dhe shkëmbimin në të gjitha fushat e kulturës dhe artit në periudhën 2016-2019 duke inkurajuar dhe mbështetur marrëveshjet e drejtpërdrejta dhe bashkëpunimin midis institucioneve, ekspertëve, artistëve dhe shoqatave.
Theksi i këtij programi bie në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, parandalimin e tregtisë së paligjshme të pasurive kulturore, bashkëpunimit dhe shkëmbimit të ekspertëve përmes takimeve punuese afatshkurtra, udhëtimeve studimore, misione vëzhgues në festivale ...
Programi gjithashtu përfshin edhe shkëmbimin e ekspozitave, vizitat e ekspertëve, prezantime dhe inkurajohet bashkëpunimin e drejtpërdrejtë mes shkrimtarëve dhe shoqatave të tyre, përfshirë bibliotekat dhe shoqatat profesionale biblotekiste dhe bashkëpunimi në fushën e kulturës tradicionale.
''Më e rëndësishmja është se me këtë program kemi ndërprerë një pauzë katër-vjeçare në marrëdhëniet tona, prandaj ky program është restauruar", tha ministri Hasanbegoviç.
Ministrja shqiptare falënderoi Qeverinë kroate dhe ministrin Hasanbegoviç.
''Dua të falënderoj qeverinë kroate dhe ministrin Hasanbegoviç për nënshkrimin e marëveshjes. Mendoj se politikanët, ministrat, ministritë duhet të mbështesin kulturën dhe artistët. Kultura duhet të jetë e pavarur në raport me institucionet politike dhe kjo është detyra jonë që të mbështesim atë. Ky program është një mjet i fuqishëm për të mbështetur njerëzit që gjithë jetën e tyre ia kanë përkushtuar artit dhe kulturës'', tha Mirela Kumbaro Furxhi.
Gjatë qëndrimit të delegacionit shqiptar në Zagreb janë paraparë vizita në Institutin kroat të restaurimit (HRZ), Teatrin Kombëtar Kroat (HNK) dhe Muzeun e Arteve (MOU).