Fatjon Cuka
27 mars 2020•Përditësim: 28 mars 2020
Me konfirmimin e 12 rasteve të reja, numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Shqipëri është rritur në 186, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të ministrisë, në 24 orët e fundit janë testuar 102 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 12 raste të reja me COVID-19.
“Deri në këto momente janë testuar 1246 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 186 raste. Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Pukë dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, Shkodër dhe Durrës, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik”, theksohet në njoftim.
Shpërndarja gjeografike e rasteve të konfirmuar pozitiv është 107 raste në Tiranë, 20 në Fier, 12 në Korçë, 11 në Durrës, nga 5 në Elbasan dhe Vlorë, nga 4 në Lushnje, Kavajë, Shkodër dhe Lezhë, nga 2 në Rrogozhinë, Has, Tropojë dhe Pukë dhe nga 1 rast në Berat dhe Krujë, ndërsa mes tyre 8 kanë ndërruar jetë dhe 31 janë shëruar.
Kujtojmë se në vend është shpallur gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të koronavirisut, ku sipas Kushtetutës së Shqipërisë mund të vendosen masa të jashtëzakonshme.
Institucionet në Shqipëri aktualisht kanë marrë masa të shumta kundër përhapjes së koronavirusit të ri, ku përveç mbylljes së institucioneve arsimore, është vendosur edhe ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private, pezullimi i aktiviteteve futbollistike dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.