Fatjon Cuka
17 Prill 2020•Përditësim: 17 Prill 2020
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, me konfirmimin e 21 rasteve të reja numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në vend është rritur në 539, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftim ministria ka konfirmuar se në 24 orët e fundit janë testuar 253 persona të dyshuar me COVID-19 dhe nga rezultatet e testimeve kanë rezultuar 21 raste pozitive me COVID19.
“Deri në këto momente janë testuar 5.080 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitiv me COVID-19, 539 raste. Vijojmë me rritjen e numrit të rasteve të shëruara të cilat për disa ditë rresht kalojnë numrin e rasteve të infektuara. Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit, gjashtë pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në gjithsej 283.
Në Shqipëri është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa institucionet kanë marrë masa të shumta si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.