Agim Sulaj
21 Korrik 2020•Përditësim: 21 Korrik 2020
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se Skënder Hyseni është emëruar koordinator shtetëror për dialogun e Kosovës me Serbinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një njoftimi në rrjetet sociale, kryeministri Hoti njoftoi se Hyseni, i cili është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është emëruar “me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi”.
“Duke u bazuar në platformën e Qeverisë për dialogun me Serbinë, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, sot kam emëruar z. Skender Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog”, ka shkruar Hoti.
Skënder Hyseni ka qenë ministër i parë i Punëve të Jashtme i Kosovës nga viti 2008 deri në vitin 2010, ndërsa nga viti 2014 deri në vitin 2017 ministër i Punëve të Brendshme. Ai ka qenë deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës për disa legjislatura me radhë.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë pas një takimi virtual më 12 korrik ka rifilluar me takime në Bruksel më 16 korrik mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti si dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian, pas më shumë se 20 muajsh, që kur ishte ndërprerë ky proces me arsyetimin e Serbisë se nuk mund të ketë dialog me kushte, pasi që Kosova kishte vendosur tarifë prej 100 për qind për mallrat e importuara në Kosovë me origjinë serbe.
Një takim tjetër në kuadër të këtij procesi është paralajmëruar në fillim të shtatorit të këtij viti.