Fatjon Cuka
02 Gusht 2019•Përditësim: 05 Gusht 2019
Instituti "Yunus Emre" në Tiranë ka organizuar ceremoninë e përcjelljes për në Turqi të studentëve dhe nxënësve shqiptarë në kuadër të programit “Udhëtim në historinë e përbashkët 2”, raporton Anadolu Agency (AA).
Pjesë e aktivitetit ishin përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, përfaqësues të institucioneve arsimore të Shqipërisë, mësues, studentë, nxënës dhe prindër.
Zv.ambasadori i Turqisë në Tiranë, Muammer Hakan Cengiz, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, foli për trashëgiminë kulturore dhe monumentet historike të Turqisë, të cilët pjesëtarët e këtij programi do t'i vizitojnë.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Cengiz tha se "Po hidhni një hap shumë të rëndësishëm për mësimin e gjuhës dhe kulturës turke. Stambolli është një nga qytetet më të rëndësishme të botës".
Drejtori i Institutit "Yunus Emre" Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, në fjalën e tij tha se për herë të parë një udhëtim i tillë është zhvilluar vitin e kaluar. "Është e vërtetë që jetojmë në shtete të ndryshme, por jemi njerëz të të njëjtit kader”, tha Demirbaş.
Këshilltari për çështjet e arsimit pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Atakan Doğan, theksoi se qëllimi kryesor i institucioneve turke në Shqipëri është që marrëdhëniet kulturore dhe historike t’i çojnë përpara.
Ndryshe, shëtitja “Udhëtim në historinë e përbashkët 2” në qytetet e Stambollit dhe Çanakalasë që do të zgjasë deri më 9 gusht, organizohet nga Instituti “Yunus Emre” Tiranë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Ministrisë së Rinisë dhe Sportit, Drejtorisë së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB).
Pjesë e këtij programi janë 38 persona, kursantë të gjuhës turke pranë Institutit "Yunus Emre" Tiranë, studentë dhe nxënës nga universitete dhe shkolla të ndryshme të Shqipërisë, si dhe disa mësues.
Që nga viti 2009 kur u hap Instituti “Yunus Emre” në Tiranë e deri më sot, janë rreth 1.878 persona që kanë ndjekur kursin e gjuhës turke pranë këtij instituti. Gjuha turke mësohet edhe në universitete dhe shkolla të mesme të Shqipërisë.