Husamedin Gina
14 Janar 2021•Përditësim: 15 Janar 2021
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, theksoi se Maqedonia e Veriut dëshiron ta tejkalojë pragun e fqinjësisë së mirë me Greqinë dhe të vendosë bazë për ndërtimin e një miqësie më të thellë, më afatgjate mes dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri Osmani në kuadër të vizitës së parë zyrtare në Republikën e Greqisë, pas marrjes së postit, realizoi takim me nikoqirin e tij, ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolas Dendias.
Theksi i bisedimeve mes dy kolegëve, sipas njoftimit të ministrisë, ishte vendosja e kornizës për aktivitetet e ardhshme që i kanë dy shtetet në pajtim me Planin Aksional për bashkëpunim dhe implementim të Marrëveshjes për Partneritet Strategjik (i njohur si Marrëveshja e Prespës).
“Kënaqësi e vërtetë është të fillohet viti me një vizitë të tillë të suksesshme në Greqi. Qëllimet tona të sinqerta janë që ta tejkalojmë pragun e fqinjësisë së mirë, si narrativ korrekt politik, dhe të vendosim bazë për ndërtimin e një miqësie më të thellë, më afatgjate mes dy vendeve, si shprehja më e lartë e suksesit të politikës dhe diplomacisë”, theksoi Osmani.
Duke theksuar se integrimet evropiane dhe aleanca në NATO ishin një nga temat e bisedës, Osmani theksoi: “Si një fqinj i drejtpërdrejt që njëherësh është edhe anëtar i BE-së, konsideroj se është shumë e rëndësishme mbështetja parimore nga ana e Greqisë për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut, pa anulime. E vlerësojmë këtë mbështetje dhe e konsideroj si një nga inputet kyçe në krijimin e miqësisë afatgjate mes dy vendeve”.
Sipas njoftimit të MPJ-së, gjatë vizitës zyrtare të Osmanit në Greqi, u nënshkruan tre Memorandume për Mirëkuptim mes dy shteteve për bashkëpunim në sferën e investimeve dhe tregtinë e jashtme mes ndërmarrjeve “Greqia CA” dhe “Invest Maqedonia e Veriut”, për bashkëpunim mes ministrive të punëve të jashtme në edukimin e diplomatëve dhe për bashkëpunim në sferën e mbrojtjes civile.
Në agjendën e ministrit në kuadër të vizitës zyrtare në Greqi do të jenë edhe takimet me presidenten e Republikës së Greqisë, Katerina Sakellaropoulu, kryeministrin Kiriakos Micotakis dhe ministrin alternative për Çështje Evropiane, Miltiadis Varvisiotis.