Dzihat Aliju
09 gusht 2026•Përditësim: 09 gusht 2026
Zjarri që ndikoi në zonat e banuara në qytetin e Krujës është vënë nën kontroll, ndërsa në përpjekjet për shuarjen e zjarrit mori pjesë edhe Bayraktar TB2, raporton Anadolu.
Ditët e fundit në vend janë shfaqur zjarre në disa zona të ndryshme të Shqipërisë, përfshirë edhe Krujën.
Në Krujë, ku gjatë gjithë natës vijuan përpjekjet për shuarjen e zjarrit, rreth 300 pjesëtarë të Forcave të Armatosura, njësive civile të emergjencave dhe Shërbimit Zjarrfikës morën pjesë në operacionin për shuarjen e zjarrit.
Në zonë, ku ndërhyrja u krye edhe nga ajri, në operacionin për vënien nën kontroll të zjarrit morën pjesë 21 automjete zjarrfikëse, tre helikopterë, një dron Bayraktar TB2 dhe dy dronë me kamera termike të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Për shkak të zjarrit, banorët e disa zonave të banuara u evakuuan.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas vënies nën kontroll të zjarrit, në një postim në llogarinë e tij në platformën sociale amerikane X, tha se ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, sipas tij, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës.
"Në praninë e erës dhe në pamundësinë e natës për të përdorur mjete zjarrshuajtëse nga ajri, trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u përballën me heroizëm e me aftësi të spikatur profesionale, duke shmangur një bilanc që mund të kishte qenë tragjik siç fatkeqësisht po ndodh në vende të tjera të Evropës në këtë verë përvëluese", shkroi ai.
Edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ndoqi nga afër operacionin në vendngjarje. Në një deklaratë për mediat, ministri Lamallari tha se zjarri nuk ishte shkaktuar nga faktorë natyrorë, por nga veprimet njerëzore, ndërsa bëri të ditur se policia ka ndaluar të dyshuarin.
Ndërkohë, sipas një njoftimi të Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, në disa qytete edhe sot vijon të jetë i pranishëm rrezik "i lartë" për zjarre.