Lejla Biogradlija
22 Qershor 2023•Përditësim: 22 Qershor 2023
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq njoftoi se do të marrë pjesë në takimin e ardhshëm të dialogut Beograd-Prishtinë, i cili do të mbahet në Bruksel nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian (BE), por nuk do të flasë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, transmeton Anadolu.
Vuçiq, duke folur për Radio Televizionin Serb (RTS), tha se do të marrë pjesë në takimin e organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, për të ulur tensionet në veri të Kosovës.
Duke pretenduar se "qëllimi i vetëm i Kurtit ishte dëbimi i serbëve të Kosovës", Vuçiq tha se "dëshmia më e madhe për këtë janë serbët e Kosovës që u arrestuan së fundmi".
Ai tha se Serbia është në një situatë të vështirë dhe nën presion të madh. "Sot do të shkoj në Bruksel. Që mos të thonë pse nuk erdhe. Megjithatë, nuk e kuptova qëllimin e shkuarjes atje. Asnjëherë nuk kam pasur një parakusht për takim", theksoi Vuçiq.
Vuçiq, duke përsëritur se kurrë nuk do të përballet me Albin Kurtin, tha: "Nuk ka asgjë për të folur me të. Është e kotë. Nuk mendoj se Perëndimi do ta ndëshkojë Kurtin".
Ndërkaq, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se do të shkojë në Bruksel.
BE-ja raportoi se liderët e Kosovës dhe Serbisë u ftuan për takim në Bruksel pa parakushte për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për t'u kthyer në dialogun Beograd-Prishtinë të udhëhequr nga BE-ja.
- Tensionet e vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Më 26 maj, serbët e Kosovës protestuan kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë që fituan zgjedhjet lokale të 23 prillit në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, ku serbët janë të përqendruar në veri të Kosovës.
Ndërsa protestat vazhduan në këtë pjesë të vendit, Policia e Kosovës dhe KFOR-i rrethuan ndërtesat komunale me gardhe teli dhe shtuan numrin e personelit në rajon.
Ka patur përplasje mes serbëve lokalë dhe Policisë së Kosovës, e cila është dërguar në këtë pjesë të vendit për të mbrojtur kryetarët shqiptarë.
Më 13 qershor, policia ndaloi serbin Milun Milenkoviq në Mitrovicën e Veriut me arsyetimin se ai ishte një nga organizatorët e sulmeve kundër ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.
Më 14 qershor Serbia njoftoi se ka arrestuar 3 policë të Kosovës në zonën kufitare mes dy vendeve me pretendimin se po "planifikonin një aksion në Serbi", ndërsa Kosova thotë se Serbia ia rrëmbeu 3 policët.