Zülfiya Yakup
11 Korrik 2017•Përditësim: 12 Korrik 2017
PRISHTINË (AA) - Në Ministrinë e Diasporës të Kosovës, sot ka qëndruar një delegacion i grave asambleiste të Komunës Kyçykçekmexhe të Stambollit, të cilat sollën dhurata simbolike për 40 vajza, bija të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës dhe familjet e varfëra në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Diasporës, Valon Murati përshëndeti mysafiret nga Turqia të cilat i falënderoi për dhuratat. Ai shprehu kënaqësinë e tij për bashkëpunimin me komunën Kyçykçekmexhe, të cilën e vizitoi në vitin 2015.
"Përmes këtij bashkëpunimi ne duam të thellojmë edhe bashkëpunimin me Turqinë, e cila është një partner i rëndësishëm për Kosovën duke i mbështetur gjithmonë proceset e rëndësishme në Kosovë, prandaj besoj se ne do të forcojmë këtë bashkëpunim në të ardhmen", tha Murati.
Ambasadorja turke në Kosovë, Kıvılcım Kılıç u shpreh e kënaqur nga dhuratat të cilat paraqesin paje të nusërisë për 40 vajza kosovare, ndërkohë që tha se lidhjet mes dy vendeve janë vëllazërore.
"Në qytete të ndryshme të Turqisë jetojnë shumë kosovarë, shumë shqiptarë dhe ata janë një urë e rëndësishme mes dy vendeve. Lumturia e këtij vendi është edhe lumturia jonë dhe problemet e këtij vendi janë dhe probleme tona”, tha ajo.
Të pranishmëve iu drejtua edhe mysafirja nga Turqia, këshilltarja komunale Ozlem Erol, cila tha se në komunën e tyre me gati 2 milionë banorë, jetojnë dhe rreth 190 mijë kosovarë dhe një asambleiste është më prejardhje nga Kosova.
"Besoj se pas këtij hapi të vogël, do të vijojnë hapa shumë më të mëdha, të cilët do t'i bëjmë së bashku. Nuk dëshirojmë që të jetë Ne dhe Ju, por të jemi bashkë", tha Erol.