Abdula Berisha
29 Tetor 2019•Përditësim: 30 Tetor 2019
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe Grupi Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Turqisë, kanë realizuar takim me Delegacionin e Odës Ekonomike të Maqedonisë - Turqisë (MATTO), i udhëhequr nga kryetari i MATTO Ajdovan Ademoski, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pjesë e takimit kanë qenë deputetët Enes Ibrahim, Amdi Bajram, Jusuf Hasani, Teuta Bilalli dhe Dragan Cuklev, ndërsa pjesë e delegacionit të MATTO-s ishin edhe nënkryetari Eser Xhevahir, zëvendëskryetarët Imer Selmani dhe Turhan Ademi si dhe drejtori ekzekutiv Shahpaz Molaliev.
Siç thuhet në kumtesën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, në takim u shkëmbyen mendimet dhe propozimet për përmirësimin e biznesit dhe avancimin e zhvillimit ekonomik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me ç'rast u vlerësua se marrëdhëniet intensive dhe miqësore bilaterale midis dy vendeve hapin mundësinë për një bashkëpunim edhe më intensiv ekonomik.
"Kryetari Xhaferi u shpreh i kënaqur për vendosjen e komunikimit dhe bashkëpunimit institucional midis Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe MATTO-s, duke e theksuar kontributin e rëndësishëm të shkëmbimit tregtar midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë dhe investimeve turke në vend në flukset ekonomike dhe buxhetin e shtetit. Në të njëjtën kohë, ai e nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të MATTO-s me të gjitha odat ekonomike në Republikën e Maqedonisë së Veriut", thuhet në kumtesë.
Duke theksuar se në periudhën e kaluar kontributi kryesor i bashkëpunimit ekonomik ishte përqendruar në Shkup dhe në pjesën juglindore të vendit, nga Kuvendi njoftojnë se Xhaferi është zotuar që të rritë bashkëpunimin dhe investimet në pjesën perëndimore dhe jugperëndimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kryetari i Kuvendit gjithashtu ka theksuar se nuk ka ndonjë dallim ndërmjet deputetëve të pushtetit dhe opozitës në lidhje me çështjet ekonomike, përkatësisht ekziston një konsensus për nevojën për ta avancuar zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik.
Kryetari i MATTO-s, Ajdovan Ademoski u shpreh i kënaqur që Kuvendi është i hapur për komunitetin e biznesit dhe informoi se në MATTO anëtarësohen rreth 100 kompani eminente nga vendi dhe investitorë nga Republika e Turqisë, duke punësuar afro 10.000 qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ai vuri në dukje se investimet turke në vend arritën në 2 miliardë dollarë ndërsa shkëmbimi i përgjithshëm tregtar midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë tejkaloi 521 milionë dollarë, me një angazhim për ta rritur atë në 1 miliard dollarë.
"Përfaqësuesit e MATTO-s u zotuan të liberalizojnë më tej Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, e cila do të rritë në masë të madhe vëllimin e tregtisë dhe do ta avancojë hyrjen e kompanive vendore në tregun turk. U theksua që MATTO-ja kryen veprimtari në fushën e përgjegjësisë shoqërore, siç janë bursat për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët, duke theksuar se Republika e Maqedonisë së Veriut mund të bëhet një 'oazë e arsimit' nëse lehtësohet hyrja e studentëve të ardhshëm të huaj", thuhet në kumtesë.