Hatice Kesgin
03 Janar 2016•Përditësim: 04 Janar 2016
RIAD (AA) – Autoritetet e Arabisë Saudite kanë dënuar reagimet e Teheranit zyrtar pas ekzekutimit të 47 personave të dënuar për terrorizëm, në mesin e të cilëve edhe të liderit fetar shiit ajatolah Nimr al-Nimr, duke hedhur poshtë kritikat rreth mangësisë së sistemit juridik dhe procesit gjyqësor, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Me deklaratat e shprehura lidhur me terroristët e ekzekutuar Irani tregoi fytyrën e vet të vërtetë, duke i dhënë në këtë mënyrë mbështetje terrorizmit. Irani ndjek politikë të polarizimit dhe është përgjegjës për eskalim dhe kaos”, deklaroi një zyrtar anonim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, i cili deklaratat e Teheranit zyrtar i konsideroi si “të papranueshme”.
Zyrtari saudit po ashtu theksoi se Irani disa herë është akuzuar nga ana e Kombeve të Bashkuara se mbështet terrorizmin. Ai shtoi se qindra iranianë vitin e kaluar janë ekzekutuar për shkak të mungesës së një procedure të qartë ligjore.
Autoritetet e Arabisë Saudite dje njoftuan se kanë ekzekutuar 47 persona të dyshuar për terrorizëm, në mesin e të cilëve edhe liderin fetar shiit në këtë vend al-Nimra. Kjo gjë shkaktoi një sërë reagimesh nga ana e liderëve të Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara, SHBA-të dhe të tjerë, por reagimi më i ashpër erdhi nga Irani, ku ministri i Punëve të Jashtme të këtij vendi porositi se “Arabia Saudite për këtë politikë do të paguajë çmim të lartë”.
Ndërkohë, Teherani zyrtar dhe Riadi momentalisht mbështesin palë të kundërta në përleshjet në Siri dhe Jemen.