Ekip
21 Qershor 2019•Përditësim: 23 Qershor 2019
Abdullah Morsi, i biri i ish-presidentit egjiptian Mohamed Morsi, ka akuzuar presidentin aktual Abdel Fattah al-Sisi dhe disa zyrtarë të tjerë egjiptian për “vrasjen” e babait të tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Morsi, presidenti i parë dhe i vetëm i Egjiptit i zgjedhur në rrugë demokratike, ndërroi jetë të hënën pasi i ra të fikët brenda kafazit të xhamit gjatë një seance gjyqësore mbi akuzat e “spiunazhit”.
Në llogarinë e tij në twitter, i biri i Morsit emëroi disa zyrtarë të cilët i quajti partnerë të al-Sisit “për vrasjen e presidentit”.
Abdullah në veçanti akuzoi ministrin aktual të brendshëm, Mahmoud Tawfiq dhe ish-ministrin e brendshëm, Magdy Abdel Ghaffar.
Emrat e akuzuar nga ai po ashtu ishin gjyqtarët Shirin Fahmy, Shaaban al-Shami dhe Ahmed Sabru, si dhe Prokurori i Përgjithshëm, Nabil Sadek dhe kreu i shërbimit të intelegjencës, Abbas Kamel.
Autoritetet egjiptiane ende nuk kanë komentuar për pretendimet e të birit të Morsit.
Morsi, një anëtar kryesor i Vëllazërisë Muslimane të Egjiptit, fitoi zgjedhjet e para të lira presidenciale të Egjiptit në vitin 2012.
Pas vetëm një viti në detyrë, ai u rrëzua dhe u burgos në një grusht shtet ushtarak të udhëhequr nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes dhe president aktual, al-Sisi.
Ai u dënua me 48 vjet burgim gjithsej në katër nga gjykimet e hapura kundër tij, ndërkohë që vazhdonte procesi i gjykimit në dy raste të tjera.