Ekip
23 Maj 2016•Përditësim: 23 Maj 2016
KATHMANDU (AA) — Organizatori i ekspeditës alpiniste në Malin Everest ka njoftuar se alpinisti nga India i cili u ndihmua nga ekipet e shpëtimit të shtunën ka ndërruar jetë, që paraqet rastin e tretë të vdekjes së alpinistëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Subhash Paul ka ndërruar jetë natën e kaluar përderisa ekipet e shpëtimit kishin qenë duke e ndihmuar të zbresë nga mali”, deklaroi një përfaqësues i agjencisë Trekking Camp Nepal dhe Kathmandu.
Dy anëtarë tjerë të ekipit të Paulit, Paresh Nath dhe Goutam Ghosh, janë zhdukur të shtunën, ndërsa autoritetet e Nepalit thonë se gjasat për të mbijetuar në kushte të tilla klimatike janë shumë të vogla.
Rikujtojmë se fundjavën e kaluar si pasojë e sëmundjes së lartësisë në Everest humbën jetën dy alpinistë shtetas të Holandës dhe Australisë, ndërkohë që 30 të tjerë u sëmurën.
Dy alpinistët e vdekur ishin pjesë e ekspeditës së njëjtë dhe paraqesin vdekjet e para gjatë vitit 2016. Nga 11 maji rreth 400 alpinistë janë ngjitur në majën më të lartë të Malit Everest.