Burak Bir
29 Prill 2025•Përditësim: 30 Prill 2025
Policia suedeze ka konfirmuar se tre persona kanë humbur jetën pas të shtënave me armë në qytetin Uppsala të Suedisë, me autorin ende në arrati, transmeton Anadolu.
Duke cituar një burim të sigurisë, transmetuesi publik SVT tha se një operacion i madh policor është duke u zhvilluar pas të shtënave në një sallon flokësh pranë sheshit Vaksala.
Policia tha se autori i krimit u arratis me një skuter elektrik.
Ministri i Drejtësisë, Gunnar Strommer, u tha gazetarëve se incidenti është “jashtëzakonisht serioz”. Ai shtoi se Ministria e Drejtësisë është në kontakt të ngushtë me policinë dhe po ndjek nga afër zhvillimet.
Zëdhënësi i policisë, Magnus Klarin, tha se zyrtarët e sigurisë morën disa raportime për shpërthime të fuqishme në zonë.
Dëshmitarët okularë për transmetuesin SVT thanë se u dëgjuan pesë të shtëna dhe se njerëzit u panë duke vrapuar në drejtime të ndryshme.
Autoriteti i transportit njoftoi se shërbimi i trenit drejt dhe nga qyteti Uppsala u pezullua përkohësisht.
Në muajin shkurt, 11 persona u vranë në të shtënat me armë në qytetin Orebro, 200 kilometra në perëndim të kryeqytetit Stokholm, që kishte në shënjestër një qendër arsimore për të rritur.