Riyaz Khaliq
22 Korrik 2020•Përditësim: 23 Korrik 2020
Një aeroplan i kompanisë ajrore Ethiopian Airlines është dëmtuar në një aksident zjarri në Kinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gazeta kineze "Global Times" raportoi se aeroplani i ngarkesave Boeing 777 ET-ARH mori flakë pasdite në Aeroportin Ndërkombëtar Shanghai Pudong.
Ethiopian Airlines njoftoi se aeroplani mori flakë përderisa zbarkonte në aeroport.
Administrata e Aviacionit Civil të Kinës dhe kompania e linjës ajrore etiopiane kanë filluar hetimin mbi incidentin.
Kompania ajrore njoftoi se të gjithë anëtarët e ekuipazhit kishin dalë nga aeroplani të sigurt, ndërsa shkaku i zjarrit ende mbetet i panjohur.
Ethiopian Airlines ka qenë në gjendje të mbajë bizneset në qarkullim në periudhën e bllokimit për shkak të operacioneve të saj të ngarkesave. Ajo ka shndërruar 25 aeroplanët e saj të pasagjerëve Boeing 737 në aeroplanë ngarkesash.
Duke folur për AA, drejtori i përgjithshëm i Ethiopian Airlines, Tewolde Gebremariam, tha se ngarkesat dhe shërbimet e mirëmbajtjes kanë ndihmuar kompaninë e tij të qëndrojë në qarkullim pas humbjes prej 55 miliardë dollarëve për shkak të kufizimeve të udhëtimit të zbatuara si pasojë e pandemisë COVID-19.
Gjatë katër muajve të fundit, kompania etiopiane ka fluturuar në 70 destinacione në të gjithë botën, përfshirë në Azi, Amerikë, Evropë dhe Afrikë.
Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror ka parashikuar që operacionet e ngarkesave do të kontribuojnë me 26 për qind në të ardhurat e industrisë ajrore në vitin 2020, krahasuar me 12 për qind në vitin 2019.