Ekip
14 Gusht 2020•Përditësim: 14 Gusht 2020
Qeveria e Afganistanit ka liruar të paktën 80 figura kryesore talebane për t'i hapur rrugën bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes, konfirmoi sot një zyrtar, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Javed Faisal për AA tha se 80 të burgosur talebanë, të cilët janë në listën e zezë të qeverisë për vepra të rënda, u lanë të lirë mbrëmjen e kaluar nga burgu Pul-e-Charkhi në kryeqytetin Kabul.
"Ata janë në mesin e 400 të burgosurve talebanë Loya Jirga (organi i lartë konsultativ i pleqve afganë) autorizoi qeverinë për lirimin", tha ai.
Presidenti afgan Ashraf Ghani javën e kaluar u zotua të lirojë 400 të burgosurit e mbetur, si pjesë e përpjekjeve për të filluar bisedime të drejtpërdrejta me talebanët. Ai këtë e tha derisa i drejtohej ceremonisë së mbylljes së Loya Jirga që i bëri thirrje qeverisë të sigurojë lirimin e të burgosurve.
“Tani, talebanët kanë një zgjedhje. Sot, talebanët duhet të demonstrojnë se nuk kanë frikë nga një armëpushim gjithëpërfshirës. Nuk ka guxim më të madh që kërkohet për luftë, por për paqen", tha ai.
Mbi 3.000 figura publike nga i gjithë vendi mbështetën thirrjet e qeverisë për një armëpushim të përhershëm dhe garanci ndërkombëtare që kryengritësit të mos përdornin sërish dhunë dhe të fillojnë bisedimet brenda afgane.
Ngjarja tërhoqi vëmendjen globale teksa u mbajtën bisedime të vazhdueshme për paqen midis talebanëve dhe SHBA-së.