Eshat Fırat
17 Janar 2017•Përditësim: 17 Janar 2017
JERUSALEM (AA) – Policia izraelite ka marrë në pyetje të birin e kryeministrit Benjamin Netanyahu nën dyshimin se “ka siguruar përfitime nga biznesmenë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit në televizionin izraelit Kanal 2, i biri i Netanyahut Yair është marrë në pyetje nën dyshimin se ka “siguruar përfitime nga biznesmenë”. Në lajm theksohet se i biri i Netanyahut është marrë në pyetje me arsyetimin se ka marrë dhurata të vlefshme nga biznesmeni australian James Packer.
Ndërkaq, sipas lajmit, ende ka pyetje që presin përgjigje. Nga ana tjetër, gazeta Haaretz ka pohuar se i biri i Netanyahut ka qëndruar në shtëpinë e biznesmenit australian Packer në Tel Aviv, ka realizuar udhëtime me avionin e tij privat dhe se biznesmeni në fjalë ka mbuluar shpenzimet e tij në hotelin ku ka qëndruar.
Ndërkaq, nga autoritetet izraelite ende nuk është dhënë asnjë deklaratë në lidhje me marrjen në pyetje të të birit të Netanyahut.
Thirrje për “dorëheqje” nga ish-ministrja e Jashtme, Livni
Ndërkohë, ish-ministrja e Jashtme e Izraelit, Tzipi Livni i ka bërë thirrje Netanyahut që të japë dorëheqje.
Liderja e Bllokut Cionist në opozitë, duke folur në radion publike në lidhje me akuzat për korrupsion dhe sigurim përfitimesh ndaj familjes së Netanyahut, ka thënë se “Është e pamundur që Netanyahu të vazhdojë të jetë kryeministër. Netanyahu nuk përfaqëson Partinë Likud, por korrupsionin personal”.
Ish-ministrja Livni ka thënë se “Netanyahu është i zënë me interesat personale dhe nuk merret me popullin ose partinë Likud”.
Hetimi ndaj familjes Netanyahu
Javën e kaluar policia mori në pyetje edhe bashkëshorten e Netanyahut, Sara për marrje të dhuratave të shtrenjta nga biznesmenë.
Ndërkaq, ndaj kryeministrit Netanyahu janë hapur dy dosje, njëra për përfitime nga biznesmenë dhe tjetra për marrëveshjen e arritur me drejtuesin e përgjithshëm të gazetës Yedioth Ahronoth.
Në kuadër të hetimeve për korrupsion, Netanyahu brenda muaji ka dhënë dëshmi dy herë në polici. Paraprakisht ishte theksuar se marrja e parë në pyetje kishte zgjatur tre orë, ndërsa e dyta pesë orë, që të dyja të zhvilluara në rezidencën zyrtare të Netanyahut në Jerusalem.
Nga ana tjetër, Netanyahu ka mohuar akuzat për korrupsion, duke deklaruar: “Asgjë nuk ka rezultuar nga maltretimi që po bëhet ndaj meje dhe familjes sime prej vitesh. Nuk do të rezultojë asgjë, sepse nuk ka asgjë".
Po ashtu thuhet se Netanyahu mund të detyrohet të japë dorëheqje nga detyra nëse konstatohet përfshirja e tij në korrupsion.