Gamze Türkoğlu Oğuz
07 Shkurt 2019•Përditësim: 08 Shkurt 2019
ANKARA (AA) - Algjeria, Indonezia dhe Vietnami janë tre vendet që kryesojnë listën e vendeve me siguri kibernetike më të keqe në botë, thotë një hulumtim i kompanisë britanike Comparitech, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të ueb faqes "Quartz India", hulumtimi ka renditur Algjerinë, Indonezinë, Vietnamin, Tanzaninë, Uzbekistanin, Bangladeshin, Pakistanin, Bjellorusinë, Iranin dhe Ukrainën si 10 vende me siguri kibernetike më të keqe në botë në mesin 60 vendeve në mbarë botën.
Hulumtimi gjithashtu vuri në dukje se Bangladeshi, Nigeria, Irani, Tanzania dhe Kina janë 5 vendet ku celularët ndikohen më së shumti nga softueret e dëmshme (malware).
Nga ana tjetër vendet ku kompjuterët personal ndikohen më së shumti nga malware janë Algjeria, Bjellorusia, Ukraina, Azerbajxhani dhe Indonezia.
Hulumtimi gjithashtu ka publikuar vendet më të sigurta në këtë fushë, të cilat janë Japonia, Franca, Kanada, Danimarka dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Hulumtimi është bërë duke u vlerësuar 7 kritere, si përgatitje për sulme kibernetike, përqindja e ekspozimit të celularëve dhe kompjuterëve ndaj malware-ave si dhe të tjerë.