Ruslan Rehimov
24 Nëntor 2020•Përditësim: 25 Nëntor 2020
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka reaguar ndaj deklaratave të disa vendeve perëndimore në lidhje me atë se çka do të ndodhë me tempujt e krishterë në rajonet e çliruara nga pushtimi i Armenisë në Malësinë e Karabakut, raporton Anadolu Agency (AA).
Aliyev dje vizitoi qytetin Agdam të çliruar nga pushtimi, ku bëri ekzaminime në xhaminë historike, e cila është e vetmja ndërtesë, struktura kryesore që ka mbetur e paprekur.
Ai bashkë me bashkëshorten e tij Mihriban Aliyeva puthën murin e xhamisë, ndërsa zyrtarit të xhamisë i dhuroi një Kuran të sjellë nga Meka.
Presidenti azerbajxhanas shprehu keqardhjen e tij ndaj shkatërrimit të Agdamit.
Ai u shpreh se Turqia dhe veçanërisht presidenti Recep Tayyip Erdoğan u kanë dhënë mbështetje politike dhe shpirtërore gjatë luftës, duke shtuar se gjatë kësaj periudhe kanë ofruar ndihmë edhe disa vende të tjera.
"Të gjithë tempujt janë pasuria jonë historike"
Aliyev ka reaguar ndaj deklaratave të liderëve të disa vendeve perëndimore në lidhje me atë se çka do të ndodhë me tempujt krishterë në rajonet e çliruara nga pushtimi i Armenisë në Malësinë e Karabakut.
"Nuk ka nevojë që askush, veçanërisht liderët perëndimorë që ndezin ndjenjat islamofobike, të shqetësohet. Ata injorojnë fyerjet ndaj vlerave të shenjta islame, madje justifikojnë ata që i fyejnë ato. Ata s'kanë të drejtë të flasin në këtë çështje. Gjithashtu, të gjithë tempujt janë pasuria jonë historike", u shpreh ai.
"A do të na kritikojnë ata që mbyllin xhamitë? Vallë ata që hedhin kokë derri ne xhami do të na ligjërojnë neve dhe do të shprehin shqetësime? Nuk ka nevojë të na shprehin shqetësime. Të gjithë monumentet historike mbrohen nga shteti", tha Aliyev.
"Le të shkojnë të merren me problemet e vendeve të tyre"
Presidenti azerbajxhanas rikujtoi se gjatë periudhës së pushtimit armen janë rrënuar shumë xhami të azerbajxhanasve, ndërsa disa janë përdorur si stallë derrash.
"Pse kjo situatë nuk i shqëtësoi disa liderë perëndimorë? Domethënë, sipas tyre, xhamitë mund të fyhen, xhamitë mund të rrënohen, mund të bëhen stallë derrash. Nëse është ashtu, le ta thonë këtë dhe të shkojnë të merren me problemet e vendeve të tyre. Askush të mos përzihet në punën tonë. Vetë erdhëm këtu. Pavarësisht përpjekjeve, provokacioneve të këtyre vendeve, erdhëm në tokën tonë duke derdhur gjak. Çdo kush le të shkojë e të merret me punët e veta", tha presidenti i Azerbajxhanit.