Hussein Mahmoud Ragab Elkabany,Hamdi Yıldız
07 Janar 2019•Përditësim: 07 Janar 2019
RIAD (AA) - Diplomatët sauditë kanë ndaluar me forcë vajzën Rahaf Muhammad al-Qunun në aeroportin në Bangkok të Tajlandës, ku ajo kërkoi azil nga cilido shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas informatave jozyrtare, stafi diplomatik i ambasadës së Arabisë Saudite në Bangkok ka rrëmbyer shtetasen saudite në aeroportin e kryeqytetit të Tajlandës.
Në një postim në Twitter ajo shkruan se diplomatët e ambasadës saudite i kanë konfiskuar pasaportën duke e akuzuar se është e sëmurë dhe e paaftë mendërisht.
"Unë jam një person i shëndoshë mendërisht që i është nënshtruar një rreziku të madh”, tha Qunun.
Ajo shkruan më tej se autoritetet tajlandeze nuk e kanë ndihmuar për çka kërkon strehim dhe azil nga çdo shtet anëtar i OKB-së.
Ndërkohë, i ngarkuari me punë në ambasadën e Arabisë Saudite në Bangkok, Abdulilah al-Shuajb, në një prononcim për televizionin Al Khalejia mohoi informatat se vajzës në fjalë i është konfiskuar pasaporta, duke shtuar se ajo është ndaluar nga zyrtarët e aeroportit nga shkaku se nuk kishte një rezervim hoteli ose biletë kthyese.
Al-Shuajb tha më tej se vajza do të transferohet në Kuvajt ku familja e saj jeton dhe kërkoi që postimet në Twitter të mos merren si informacion i besueshëm.