Zuhal Demirci
24 Gusht 2017•Përditësim: 25 Gusht 2017
ANKARA (AA) - Ambasadorët vullnetarë të TIKA-s përfunduan punimet për rikonstruksionin e shkollës fillore Yumbe dhe të radios në Ugandë, në kuadër të programit "Shkëmbimi i Përvojave - Afrika 2017”, i cili përfshin vizita në 18 vende afrikane dhe të Lindjes së Mesme, nga 200 studentë universitarë, program ky i cili zhvillohet nën koordinim të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe në bashkëpunim me Radio Televizionin Publik të Turqisë (TRT) dhe Anadolu Agency (AA).
Ambasadorët vullnetarë të TIKA-s të cilët kanë vajtur në kryeqytetin Kampala të Ugandës, pasi kanë kryer vizita të ndryshme kanë kaluar në qytetin Yumbe i cili ndodhet në një afërsi 600 km.
Pasi kanë mbërritur në qytet pas një udhëtimi të vështirë në rrugë tokësore i cili ka zgjatur afërsisht 13 orë, vullnetarët në bashkëpunim me popullatën rajonale kanë marrë pjesë në punimet rinovuese të ndërtesës së shkollës Yumbe dhe të ndërtesës së radios.
Ndërkohë mësohet se myftiu i rajonit Yumbe, Alhayi Shuajip Swaibu Ajiga, ka vizituar vullnetarët pjesëmarrës në program. Ai ka theksuar se punimet e kryera në qytet nga vullnetarët forcojnë lidhjet vëllazërore mes dy vendeve dhe ofrojnë kontribute në ndërgjegjësimin e umetit dhe ka shprehur falënderimet për Turqinë dhe popullin turk.
Ndërsa İsmail Kiberu, një prej nxënësve nga Uganda që arsimohet në shkollën fillore Yumbe ka theksuar se është i kënaqur që ndodhet bashkë me studentët vullnetarë të cilët kanë ardhur nga një distancë e largët nën kushte të vështira në rajonin Yumbe, që ka një popullatë 90 për qind muslimane.
Ambasadorët vullnetarë kanë shpërndarë për nxënësit në nevojë materiale kinkalerike, furça dhëmbësh, balona dhe lodra të cilat TIKA i ka dërguar në kuadër të projektit.
Zyrtari i TIKA-s, Onur Yaşar, i cili shoqëron studentët pasi është takuar me anëtarin e Këshillit të Lartë Islam të Ugandës, Ratib Abdullahi Saidi, myftiun e Yumbe-s, Ajiga dhe drejtorin e sigurisë së rajonit Yumbe, ka dhënë informacione rreth organizatës terroriste FETO dhe tentativës për grusht shteti më 15 korrik.
Më pas ambasadorët vullnetarë kanë vizituar radion Bilal FM pajisjet e të cilës janë siguruar nga TIKA dhe e cila ndodhet në kryeqytetin Kampala. Yaşar duke folur në radio ka dhënë informacione rreth veprimtarive të kryesisë së TIKA-s si dhe ka shprehur falënderimet ndaj popullit të Ugandës i cili me lutjet e tij ka qëndruar pranë Turqisë përgjatë tentativës tradhtare të 15 korrikut për grusht shteti.
Ndër të tjera vullnetarët kanë vizituar edhe kursin për qepje dhe qëndisje të Universitetit Islam të Ugandës, ku punimet për pajisjet janë kryer nga TIKA dhe i cili është inauguruar në vitin 2016 nga Emine Erdoğan, bashkëshortja e presidentit Recep Tayyip Erdoğan.
Të rinjtë në kuadër të programit të shkëmbimit të përvojave kanë përfunduar punimet në Ugandë dhe janë kthyer në Turqi.