Ekip
04 Shkurt 2016•Përditësim: 05 Shkurt 2016
KAJRO (AA) - Një zëdhënës ushtarak i Arabisë Saudite thotë se mbretëria është gati të dërgojë trupa tokësore në Siri për të luftuar DAESH-in me kusht nëse liderët e koalicionit dakordohen gjatë një takimi të ardhshëm i cili do të mbahet në Bruksel, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjeneral Brigadieri, Ahmed Asiri, tha për AP të enjten se Arabia Saudite ka marrë pjesë në sulmet ajrore të koalicionit kundër DAESH-it që kur nisi fushata e udhëhequr nga SHBA-të në shtator të vitit 2014, por tani do të ofrojë trupa tokësore.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë në plan të thërrasin gjatë këtij muaji një takim të ministrave të mbrojtjes të vendeve që luftojnë DAESH-in.
"Ne jemi të vendosur të luftojmë DAESH-in" tha Asiri. Ai nuk dha detaje se sa trupa do të dërgojë mbretëria. Arabia Saudite është e përfshirë thellë në luftën civile të Jemenit, ku është duke luftuar rebelët shiitë të cilët gëzojnë mbështetjen e Iranit.