Mustafa Deveci
01 Dhjetor 2020•Përditësim: 01 Dhjetor 2020
Edhe pse nuk kanë marrëdhënie diplomatike njoftohet se Arabia Saudite ka hapur hapësirën e saj ajrore për avionët e Izraelit për fluturimet drejt Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit në kanalin izraelit "I24news", Qeveria e Tel Avivit ka kërkuar nga Washingtoni që të ndërmarrë iniciativë që Arabia Saudite të lejojë që avionët e Izraelit të përdorin hapësirën e saj ajrore.
Pas kësaj thuhet se ka hyrë në veprim Jared Kushner, këshilltari dhe dhëndëri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe se Arabia Saudite ka dhënë leje që avionët e Izraelit të përdorin hapësirën e saj ajrore për fluturimet drejt EBA-së.
Në këtë mënyrë do të shkurtohet më shumë se gjysma e rrugës në fluturimet që kompanitë izraelite do të fillojnë që nga ky muaj drejt EBA-së.
Bëhet e ditur se leja në fjalë është e vlefshme vetëm për EBA-në dhe se kompanitë izraelite nuk do të lejohen të përdorin hapësirën ajrore të Arabisë Saudite në fluturimet drejt vendeve të tjera.
Pas normalizimit të marrëdhënieve mes Izraelit dhe EBA-së, një delegacion nga Tel Avivi vizitoi Abu Dhabin më 31 gusht.
Disa zyrtarë amerikanë të kryesuar nga Kushner bashkë me një delegacion izraelit u nisën nga Tel Avivi drejt Dubait me një avion i cili mbërriti në EBA duke përdorur hapësirën ajrore të Arabisë Saudite.