Ekip
25 Mars 2022•Përditësim: 26 Mars 2022
Argjentina të enjten kujtoi grushtin e shtetit të vitit 1976 me të cilin u vendos një diktaturë civile ushtarake në vend, duke mbajtur zi për viktimat e tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Mijëra njerëz dolën në rrugë për të shënuar atë që njihet në vend si Dita Kombëtare e Kujtesës për të Vërtetën dhe Drejtësinë, duke përfshirë anëtarë të grupeve të të drejtave, sindikatave, lëvizjeve sociale dhe organizatave politike. Ata u mblodhën për të kujtuar ata që u arrestuan, torturuan, u zhdukën dhe u vranë gjatë një periudhe të errët të historisë së Argjentinës.
Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, 30.000 njerëz u rrëmbyen, torturuan, u vranë ose u zhdukën nga forcat shtetërore.
Presidenti Alberto Fernandez kryesoi një homazh në Qendrën Kulturore të Shkencës duke nderuar tetë shkencëtarë që u zhdukën gjatë diktaturës.
Ai e përshkroi periudhën si një kohë kur Argjentina “filloi të përjetojë një tragjedi me një nivel të paimagjinueshëm mizorie”.
“Çdo 24 mars është një ditë emblematike për ne. Argjentina mblidhet për të hedhur poshtë atë që ndodhi. Nuk kemi dallime apo distanca për këtë. Disa janë më përparimtarë, të tjerë më ‘Peronistë’ dhe të tjerë me ngjyra të ndryshme. Por ne të gjithë e dimë se ka pasur një diktaturë që persekutoi, vrau, dënoi me internim dhe zhduki (njerëz) dhe mbajti Argjentinën si asnjë qeveri tjetër ndonjëherë”, tha Fernandez.
Ai gjithashtu reagoi ndaj atyre për të cilët tha se i kanë mohuar ato krime kundër njerëzimit gjatë diktaturës.
“Disa mohues ende thonë se kjo nuk ka ndodhur, se këto fakte nuk kanë ekzistuar, ose nuk ka qenë kështu. Se nuk ishin 30 mijë. Kjo duhet t'ju turpërojë. Sistemi i drejtësisë e ka konfirmuar tashmë”, theksoi Fernandez.
Më 24 mars 1976, një grusht shteti i krahut të djathtë rrëzoi Isabel Peron-in nga posti i presidentes së Argjentinës. Në vend të saj u vendos një juntë ushtarake, e cila drejtohej nga gjeneral-lejtnant Jorge Rafael Videla, admiral Emilio Eduardo Massera dhe gjeneral brigade Orlando Ramon Agosti.
Grupi i të drejtave Amnesty International Argentina shkroi në Twitter se 46 vjet pas grushtit të shtetit, organizata po merr pjesë në përkujtime “për ta bërë të dukshme një ditë të re reflektimi në lidhje me krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë terrorizmit shtetëror”.
“Midis 2006 dhe shtatorit 2021, u dhanë 264 dënime, duke e çuar numrin e përgjithshëm të dënimeve në 1.044. Çdo 24 mars është vendimtar për të theksuar suksesin e arritur nga e gjithë shoqëria dhe për të MOS HARRUAR atë që ende mungon”, tha organizata.
Pas aktiviteteve përkujtimore të reduktuara gjatë dy viteve të fundit për shkak të pandemisë globale të koronavirusit, mijëra njerëz nga organizata të ndryshme, duke përfshirë lëvizjet sociale, organizatat politike, sindikatat dhe grupet e të drejtave, filluan të mobilizohen në mëngjes përpara se të marshonin pasdite në sheshin Plaza de Mayo, një pjesë qendrore e kryeqytetit Buenos Aires.
Shumë nga të pranishmit mbanin pankarta që shfaqnin fytyrat e atyre që u vranë dhe u zhdukën. Të tjerët mbanin pankarta personale të kujtimit, ndërsa disa të tjerë flamuj që u përkisnin organizatave të ndryshme.
Midis të pranishmëve ishte edhe organizata “Nënat dhe Gjyshet e Plaza de Mayo”, që përbëhet kryesisht nga të afërm të fëmijëve të zhdukur, ku shumë nga ky grup ende kërkojnë të identifikojnë fëmijët që u vranë ose u birësuan gjatë diktaturës.
Fëmijë të vegjël, prindërit e të cilëve u vranë, u adoptuan dhe nuk u informuan kurrë për prindërit e tyre biologjikë. Pas përfundimit të diktaturës në vitin 1983, përparimet në teknologjinë e ADN-së kanë ndihmuar në ribashkimin e fëmijëve me prindërit e tyre biologjikë.
Disa organizata që u mobilizuan në Plaza de Mayo shfaqën gjithashtu pankarta që dënonin marrëveshjen e Argjentinës me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), e cila ende duhet të nënshkruhet nga bordi i drejtorëve të FMN-së.