Kasım İleri
25 Tetor 2022•Përditësim: 26 Tetor 2022
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, diskutoi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, mbi kontaktet e fundit diplomatike me Rusinë dhe rreth pretendimit të Rusisë se Ukraina është "përgatitur të përdorë bombë të pistë", në territoret e saj, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, zhvilloi një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për të rishikuar vendimet e marra në takimin e ministrave të mbrojtjes së NATO-s të këtij muaji dhe për të diskutuar një sërë çështjesh të sigurisë transatlantike", tha në një deklaratë me shkrim zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, Gjeneral Brigade Patrick Ryder.
"Dy zyrtarët diskutuan edhe mbi luftën Rusi-Ukrainë. Biseduan për kontaktet e fundit diplomatike me Rusinë, akuzën e gabuar të Rusisë se Ukraina është përgatitur të përdorë në territoret e saj një bombë të pistë dhe se Rusia duhet të ulë tensionet. Që të dy zyrtarët ranë dakord mbi rëndësinë për vazhdimin e parandalimit dhe mbrojtjes së fuqishme", tha Ryder.
Zëdhënësi Ryder bëri të ditur se Austin i ka dhënë siguri sekretarit Stoltenberg se SHBA-ja do të vazhdojë angazhimin e saj ndaj aleancës.
Austin ditën e premte zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergey Shoygu.
Në bisedat telefonike të zhvilluara të dielën me homologët e tij të Türkiye-s, SHBA-së, Francës dhe Britanisë, Shoygu theksoi se "Ukraina po bën përgatitje për të përdorur 'bombë të pistë'".
Ministrat e Jashtëm të SHBA-së, Britanisë dhe Francës në një deklaratë të përbashkët pas bisedave, hodhën poshtë pretendimet e Rusisë dhe njoftuan se nuk do të pranojnë justifikimet që do të përdoren për të rritur tensionet.