Ruslan Rehimov
25 Dhjetor 2024•Përditësim: 26 Dhjetor 2024
BAKU (AA) - Në avionin e pasagjerëve të kompanisë "Azerbaijan Airlines" (AZAL), i cili u rrëzua pranë qytetit Aktau në Kazakistan kanë mbijetuar 32 persona, transmeton Anadolu.
Në aeroportin ndërkombëtar "Heydar Aliyev" në Baku, u mbajt konferencë për media lidhur me rrëzimin e avionit në Aktau.
Zëdhënësi për media i AZAL, Farid Huseynov tha se në avion ndodheshin 67 persona, prej të cilëve 5 anëtarë të ekuipazhit dhe 62 udhëtarë.
Ai theksoi se 37 prej udhëtarëve janë shtetas të Azerbajxhanit, 16 të Rusisë, 6 të Kazakistanit dhe 3 të Kirgistanit.
Zyrtari i Prokurorisë Publike të Azerbajxhanit, Kenan Zeynalov deklaroi se sipas gjetjeve fillestare nga aksidenti kanë mbijetuar 32 persona dhe se ata po trajtohen.
Avioni i llojit "Embraer 190" i AZAL i cili po fluturonte në linjën Baku-Grozny, u rrëzua në afërsi të qytetit Aktau.