Ekip
29 Janar 2021•Përditësim: 29 Janar 2021
Bangladeshi ka zhvendosur 1.778 refugjatë të tjerë Rohingya në një ishull të largët në jug të vendit në kuadër të fazës së tretë të përpjekjes së vendit për zhvendosjen e refugjatëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Të gjitha anijet që mbanin refugjatët Rohingua ng qyteti jugor Chattogram lundruan të premten në mëngjes dhe tashmë i kemi pasur të gatshme shtëpitë e grupeve në ishullin në të cilin do të vendosen refugjatët e sapoardhur Rohingya", tha për AA kapiteni i parë Abdullah Al Mamun Chowdhury, drejtor i projektit të zhvendosjes së refugjatëve Rohingya në ishullin Bhasan Char.
Dhjetorin e kaluar, Bangladeshi zhvendosi 3.446 refugjatë Rohingya në ishullin e Gjirit të Bengalit, rreth 50 kilometra larg brigjeve jugperëndimore të Bangladeshit. Ishulli është i nënshtruar ndaj katastrofave natyrore, duke paraqitur një rrezik të lartë për banorët e tij.
Megjithatë, autoritetet e Bangladeshit pohojnë se masat e jetesës në ishull janë shumë më të mira se në kampet e stërmbushura në Cox's Bazaar, një krahinë ku jetojnë rreth 1,1 milion refugjatë Rohingya.
Duke folur për AA komisioneri i Bangladeshit për refugjatët, Shah Rezwan Hayat, tha se një numër i madh i refugjatëve Rohingya në Cox's Bazaar kanë dal vullnetarë për të migruar në ishull pasi dëgjuan për objektet më të mira atje.
"Ne jemi të përkushtuar për të garantuar jetën e sigurt të refugjatëve Rohingya në ishull deri në riatdhesimin e tyre paqësor në shtëpitë e tyre, shtetin Rakhinë në Mianmar", tha Hayat.
Organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara (OKB), kanë shprehur rezerva për zhvendosjen për shkak të sigurisë.
Popull i persekutuar Rohingya
Populli Rohingya, i përshkruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.
Sipas organizatës "Amnesty International", më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e çuar numrin e njerëzve të persekutuar në Bangladesh në më shumë se 1,2 milion.
Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.
Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i agjencisë OIDA, i titulluar "Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e pa treguar".
Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.