Gözde Bayar
25 Shtator 2019•Përditësim: 25 Shtator 2019
Kryeministri i Malajzisë, Mahathir Mohamad, ka kritikuar Mianmarin se ka dështuar në zgjidhjen e krizës Rohingya, raporton Anadolu Agency (AA).
Mahathir kishte fjalim në ngjarjen e nivelit të lartë "Kriza Rohingya - rruga përpara" në selinë e Kombeve të Bashkuara (OKB).
"Ajo çfarë ndodhi në shtetin Rakhinë është gjenocid. Ajo çfarë ndodhi është vrasje masive, përdhunime sistematike dhe shkelje të tjera të mëdha të të drejtave të njeriut", tha Mahathir.
Kryeministri i Malajzisë theksoi se qeveria e Mianmarit nuk dëshiron të ndërmarrë çfarëdo veprimi për të zgjidhur krizën.
Mahathir tha se kjo ka rezultuar me ikjen masive të Rohingya-ve nga shteti, ndërsa shumica e tyre kanë përfunduar në kampet e refugjatëve në rrethin Cox’s Bazar në Bangladesh.
"Ne e lëvdojmë Bangladeshin për gjithë atë që e ka bërë me strehimin e më shumë se 1.2 milionë refugjatëve Rohingya", tha ai.
Duke theksuar se Malajzia gjithashtu bëri gjithçka që mundi, ai u bëri thirrje shteteve tjera të bëjnë përpjekje për t'i dhënë fund krizës.
Ai tha se Malajzia do të vazhdojë të insistojë që riatdhesimi të bëhet "në mënyrë të sigurt, vullnetare dhe dinjitoze".
"Megjithatë, autoritetet e Mianmarit kanë manipuluar me çështjen Rohingya për të iniciuar frikë, urrejtje dhe dhunë. Kështu që, thjesht të konsiderosh idenë e dhënies së shtetësisë është e papranueshme", tha ai.
- Bangladeshi do të kërkojë gjykim në OKB për krimet ndaj Rohingya-ve
Duke folur në ngjarjen e njëjtë, kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina, tha se ajo do të alarmojë çështjen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së gjatë fjalimit të saj të caktuar për të premten.
"Komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë që shkaqet thelbësore të problemit Rohingya të adresohen dhe të jepet llogari për krimet mizore të kryera ndaj Rohingya-ve", citohet të ketë thënë Hasina nga agjensia shtetërore e lajmeve e Bangladeshit, Sangbad Sangstha.
Ajo do të shpalosë një propozim katër-pikësh për riatdhesim paqësor të refugjatëve Rohingya dhe zgjidhje të qëndrueshme të krizës.
Hasina i bëri thirrje Mianmarit që të shfaqë vullnet të qartë politik përmes veprimeve konkrete për kthim të qëndrueshëm të Rohingya-ve në Mianmar, pasi ajo përballet me presion në rritje në vendin e saj për të kthyer refugjatët në tokat e tyre në shtetin Rakhinë.
Refugjatët Rohingya vazhdimisht kanë refuzuar përpjekjet e Bangladeshit dhe Mianmarit për kthimin e tyre dhe kërkojnë mjedis paqësor në shtetin Rakhinë, si dhe shtetësi dinjitoze dhe siguri.
"Mianmari duhet të ndërtojë besimin mes Rohingya-ve duke shfuqizuar ligjet diskriminuese dhe të lejojë vizita të shpeshta në Rakhinën veriore nga përfaqësuesit e Rohingya-ve, si dhe të garantojë sigurinë dhe dinjitetin e Rohingya-ve", shtoi Hasina.
Duke u shprehur se prolongimi i riatdhesimit të Rohingya-ve "është për keqardhje", ajo tha se, "Ata duhet të kenë mundësi të kthehen në shtëpitë e tyre ku kanë jetuar me shekuj".
- Populli i persekutuar
Muslimanët Rohingya, të përshkruar nga OKB-ja si njerëzit më të persekutuar në botë, janë përballur me frikën e shtuar të sulmeve pas vrasjes së dhjetëra Rohigyave në dhunën lokale në vitin 2012.
Sipas organizatës "Amnesty International", më shumë se 750.000 refugjatë Rohingya, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladesh pasi forcat e Mianmarit filluan një sulm ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e shtyrë numrin e të persekutuarve në Bangladesh në mbi 1.2 milionë.
Që nga 25 gushti i vitit 2017 afro 24.000 muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat e shtetit të Mianmarit, thuhet në një raport të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontario (OIDA).
Më shumë se 34.000 Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114.000 të tjerë u rrahën, thuhet në raportin e OIDA-s, me titull "Migrimi i detyruar i Rohingyave: Përvoja e Parrëfyer".
Sipas këtij raporti, rreth 18.000 gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit dhe mbi 115.000 shtëpi Rohingya u dogjën ndërsa 113.000 të tjera u vandalizuan.