Şerife Çetin
06 Mars 2020•Përditësim: 06 Mars 2020
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, tha se e mirëpret procesin e armëpushimit, të cilën Turqia dhe Rusia e arritën dje për t'u zbatuar në zonën e deeskalimit të Idlibit, raporton Anadolu Agency (AA).
Borrell para takimit të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm të unionit në lidhje me Idlibin dhe refugjatët që organizohet në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, tha se procesi i armëpushimit është shenjë e vullnetit të mirë.
Ai tërhoqi vëmendjen se BE-ja duhet që të përmirësoj marrëdhëniet me Turqinë dhe Rusinë, duke shtuar se ka shumë tema që duhet të fliten.
"Lajmet lidhur procesin e armëpushimit i mirëpres. Këto janë lajme shumë të mira", tha Borrell.
"Duhet të fokusohemi në dimensionin njerëzor"
Ai theksoi se Ministrat e Jashtëm të BE-së nuk kanë autoritet të kontribuojnë në zbatimin e procesit të armëpushimit. "Ne më shumë duhet të fokusohemi në dimensionin njerëzor", u shpreh ai.
Borrell gjithashtu potencoi se do të bisedojnë edhe për fonde shtesë ndaj Turqisë. "Turqia merr një ngarkesë shumë të madhe duke pritur 4 milionë refugjatë. Duhet ta kuptojmë këtë. Por, refugjatët nuk duhet të përdoren si një mjet presioni", theksoi ai.
Deklarata erdhi disa orë pasi Ankaraja dhe Moska ranë dakord për një armëpushim efektiv që nga mesnata e së enjtes pas përleshjeve të fundit midis ushtrisë turke dhe forcave të regjimit sirian që lanë më shumë të vdekur nga të dy palët.
Si pjesë e marrëveshjes, në Idlib do të përfundojnë të gjitha aktivitetet ushtarake dhe një korridor sigurie do të vendoset 6 kilometra në veri dhe në jug nga autostrada M4.
Sipas marrëveshjes, më 15 mars gjithashtu do të fillojnë patrullime të përbashkëta turko-ruse përgjatë autostradës M4 nga vendbanimi Trumba, 2 kilometra në perëndim të Saraqib, deri në vendbanimin e Ain-Al-Havr.