Hasan Esen
06 Maj 2016•Përditësim: 06 Maj 2016
BRUKSEL (AA) - Bashkimi Europian ka reaguar duke theksuar se sulmet ndaj kampeve të refugjatëve janë të papranueshme dhe se në sulmin e regjimit të Asadit është shkelur rendë ligji ndërkombëtarë i të drejtave të njeriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini dhe anëtari përgjegjës për Ndihmat Humanitare dhe Krizave pranë Komisionit të BE-së, Christos Stylianides, kanë bërë një deklaratë të përbashkët në lidhje me sulmet ndaj kampit të refugjatëve në Siri.
Në deklaratën në të cilën nënvizohet se civilët e pafajshëm vazhdojnë të jenë shenjestër e sulmeve theksohet se: "Kampet e refugjatëve nuk mund të jenë objekt sulmesh. Këto vende duhet të jenë ambientet më të mbrojtura. Sulmet ndaj kampeve të refugjatëve janë të papranueshme dhe në sulmin në fjalë është shkelur rëndë ligji ndërkombëtarë i të drejtave të njeriut."
BE-ja i bën thirrje përmes kësaj deklarate të gjitha palëve që të ruajnë vendet ku janë civilët, të mos sulmojnë shkollat dhe qendrat shëndetësore si dhe të ndihmohen pa asnjë kusht ata që janë në nevojë.
"Sulme të tilla tregojnë edhe një herë rëndësinë e bisedimeve për dhënien fund të luftës civile. Është koha që faktori ndërkombëtarë të ndërhyjë dhe të vendosë në rrugën e tij këtë proces", thuhet ndër të tjera në deklaratë.
- Sulmi-
Të paktën 27 persona humbën jetën në një sulm ajror të forcave të regjimit të Asadit në një kamp refugjatësh, në qytetin Idlib. Ndërkohë që në mesin të vrarëve kishte gra dhe fëmijë. Të plagosurit janë dërguar në spitalet më të afërta të zonës.
Njerëzit e ikur nga vendet e konfliktit për shkak të sulmeve në Halep, Idlib dhe Latakia ishin vendosur në kampin Kamune i cili ndodhet rreth 20 kilometra në afërsi të kufirit me Turqinë.