Yusuf Hatip
08 Shkurt 2019•Përditësim: 08 Shkurt 2019
BRUKSEL (AA) - Bashkimi Evropian (BE), ka përsëritur thirrjen për një hetim të detajuar dhe të besueshëm në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijancic, iu përgjigj pyetjes së gazetarit të AA-së, për fajësimin e Arabisë Saudite në lidhje vrasjen e Khashoggit nga ana e Raportueses Speciale e OKB-së për Ekzekutime Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare, Agnes Callamard.
Ajo theksoi se nuk ka ndonjë ndryshim në qëndrimin e BE-së në lidhje me vrasjen e Khashoggit. "Ashtu siç kemi thënë në muajt e kaluar, përsërisim thirrjen tonë për një hetim të detajuar dhe të besueshëm", u shpreh ajo.
Agnes Callamard, e cila mes datave 28 janar-3 shkurt vizitoi Turqinë për hetimin e rastit Khashoggi nën kryesimin e OKB-së, në raportin e publikuar në lidhje me hetimin ka thënë se "provat e mbledhura në Turqi gjatë detyrës sime, tregojnë se Khashoggi është viktimizuar në një vrasje mizore dhe të paramenduar nga zyrtarët e shtetit të Arabisë Saudite".
Raportuesja e OKB-së ka falënderuar Turqinë për mbështetjen gjatë vizitës së saj.
Khashoggi, kontribues i gazetës "The Washington Post", u vra në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor.
Pas shpjegimeve të ndryshme kontradiktore, Rijadi pranoi se ai u vra brenda ndërtesës së konsullatës, duke thënë se vrasja ishte një operacion jashtë kompetencave dhe dijenisë së qendrës.
Turqia ka kërkuar ekstradimin e shtetasve sauditë të përfshirë në vrasje, si dhe një llogaridhënie më të plotë nga ana e Rijadit.