Merve Gül Aydoğan Ağlarcı
18 Qershor 2020•Përditësim: 18 Qershor 2020
Volkan Bozkir sot ia atribuoi "bindjen dhe besimin" ndërkombëtar Turqisë për zgjedhjen e tij si kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Asambleja e Përgjithshme (AP) të mërkurën zgjodhi Bozkir, ish-ambasadorin turk, për kryetar të saj përpara seancës së 75-të të debatit të përgjithshëm në shtator.
Me një votim të fshehtë, Bozkir, i cili garoi pa kundërshtarë, mori 178 vota nga trupi votues, me 11 abstenime.
Duke folur për AA, Bozkir tha: "Zgjedhja ime si president nënkupton njohjen e politikave të Turqisë nga të gjitha vendet e botës".
"Grumbullimi i 178 votave në një votim të tillë ishte i pashembullt për Turqinë. Kishte një mbështetje të madhe nga e gjithë bota", tha Bozkir.
Ai tha se "e gjithë kjo është për shkak të besimit në vendin tonë, besimit me të cilin ne mund ta bëjmë më mirë këtë punë".
Pak pas zgjedhjes së tij, Bozkir shkroi në Twitter: "U jam mirënjohës të gjitha vendeve anëtare të OKB-së që më zgjodhën mua me një shumicë dërmuese si president i 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së".
"Ndërsa shënojmë 75-vjetorin e OKB-së unë do t'i drejtoj përpjekjet për të kontribuar në paqen ndërkombëtare në këto kohëra sfiduese në të cilat jetojmë", u zotua ai.
Bozkir aktualisht është deputet i Partisë në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK) nga Stambolli dhe kreu i Komisionit parlamentar të Punëve të Jashtme.
Ai u zgjodh në legjislaturën turke në vitin 2011 pas gati 40 vjetësh në shërbim jashtë vendit që përfshinte poste në Gjermani, SHBA, Irak dhe Rumani.
Poashtu Bozkir ushtroi edhe detyrën e ministrit të çështjeve evropiane të Turqisë dhe kryenegociator në bisedimet e pranimit të vendit në BE.
Bozkir është personi i parë me kombësi turke që kryeson AP të OKB-së. Ai do të marrë detyrën në shtator dhe do ta mbajë postin për një vit.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan shpalli zyrtarisht kandidaturën e Bozkir në fjalimin e tij në AP të OKB-së shtatorin e kaluar.