Mehmet Burak Karacaoğlu,Eşref Musa,Ahmad Wais
18 Qershor 2020•Përditësim: 19 Qershor 2020
Pas zhvlerësimit rekord të monedhës vendase të Sirisë, banorët e Idlibit filluan të përdorin lirën turke (TL) me qëllim që të mbrojnë fuqinë blerëse.
Civilët dhe pronarët e bizneseve u drejtuan në lirën turke pasi lira siriane (SL) vazhdoi të humbasë vlerë të lartë përballë dollarit amerikan.
Lira turke kërkohet në qytet në shumë fusha të tilla si furra, stacione të karburantit, farmaci dhe markete.
Mahmut Ali Pasha, menaxhuesi i një furre në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) tha se pas zhvlerësimit të lartë të SL përballë dollarit, ata kaluan në përdorimin e lirës turke për shitblerjet në biznese me qëllimin për të mbrojtur fuqinë blerëse të popullatës.
"Popullata tregoi interes të lartë për të kthyer në TL monedhat që posedojnë. Ata shkuan në zyrat e këmbimit valutor për të shkëmbyer dollarët dhe lirat e tyre siriane në lirën turke", tha Pasha.
Sipas tij, në të gjitha bizneset e furrave, stacionet e karburanteve dhe blerjet e majës në Idlib bëheshin nëpërmjet dollarit por blerja e bukës me SL.
"Zhvlerësimi i shpejtë i SL përballë dollarit dhe luhatja e monedhës po na shkaktonte dëme serioze. Kishte nevojë për një zgjidhje serioze ndaj këtij problemi në këtë sektor ku ne punojmë dhe i cili është i pazëvendësueshëm për popullatën. Furrat e vogla për shkak të humbjeve falimentuan dhe u mbyllën. Ndërsa për ne si zgjidhje ishte e nevojshme një njësi monedhe stabile përballë dollarit. Për këtë arsye kaluam në lirën turke (TL)", tha Pasha.
Ndërsa edhe pronari i këmbimit valutor në Idlib, Maan es Sus tha se "Shitblerja me TL nënkupton tregtimin nëpërmjet monedhës së një vendi që ka ekonomi të qëndrueshme. Çmimet e karburanteve dhe produkteve ushqimore do të jenë më stabile dhe më të qëndrueshme".
"Akti i Mbrojtjes Civile Siriane Caesar" të cilin SHBA-ja e vendosi në zbatim kundër regjimit të Asadit, pritet të ndikojë negativisht ekonominë e regjimit pasi Bashar al-Asadi likuidoi kushëririn e tij Rami Makhlouf i cili ishte një oligark që mbante në dorë në masë të madhe të fuqisë ekonomike të vendit.
Në fillim të këtij viti 1 dollar këmbehej me 1.000 SL ndërsa në ditët e fundit kjo arriti deri në nivelin e 4.000 SL.
Gjithashtu edhe Banka Qendrore Siriane dje njoftoi se lira siriane po zhvlerësohej dhe se ka rritur kursin zyrtar të dollarit nga 704 në 1.256 lira siriane me qëllim për të lehtësuar presionin në tregun e zi dhe për të inkurajuar përdorimin e kanaleve zyrtare në transaksione.