Rabia İclal Turan
04 Mars 2023•Përditësim: 06 Mars 2023
Presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe kancelari gjerman Olaf Scholz u takuan të premten në Shtëpinë e Bardhë dhe diskutuan ndihmën për Ukrainën dhe përsëritën angazhimin e tyre për t’i imponuar kosto Rusisë, transmeton Anadolu.
“Presidenti Joseph R. Biden, Jr. mirëpriti sot në Shtëpinë e Bardhë kancelarin Olaf Scholz të Gjermanisë për të riafirmuar marrëdhëniet e forta dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë”, thuhet në një deklaratë zyrtare nga Shtëpia e Bardhë.
“Në njëvjetorin e pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia, liderët diskutuan përpjekjet e vazhdueshme për të ofruar ndihmë të sigurisë, humanitare, ekonomike dhe politike për Ukrainën dhe rëndësinë e ruajtjes së solidaritetit global me popullin e Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
“Ata përsëritën angazhimin e tyre për t’i imponuar kosto Rusisë për agresionin e saj për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Udhëheqësit gjithashtu shkëmbyen perspektiva për çështje të tjera globale”, tha më tej Shtëpia e Bardhë.
Biden priti Scholz-in për bisedime me dyer të mbyllura, ndërsa aleatët e NATO-s po kërkojnë të ruajnë unitetin për një mori sfidash globale, veçanërisht Ukrainën.
Në një fjalim të shkurtër para gazetarëve, Biden falënderoi Scholz-in për “ndryshimet historike në vend”, duke vënë në dukje rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës, si dhe përpjekjet për t’u larguar nga furnizimet ruse me energji.
Scholz tha se ishte “shumë e rëndësishme që ne vepruam së bashku” për t’iu përgjigjur luftës së Rusisë, tani në vitin e saj të dytë.
“Ne e bëmë të mundur që të mund t’i japim mbështetjen e nevojshme Ukrainës”, tha kancelari gjerman.
Kjo është vizita e dytë e Scholz-it që kur Biden mori detyrën, ndërsa Washington-i dhe Berlini e përshkruan udhëtimin si “vizitë pune në kohë të vështira”.