Tayfun Salcı
23 Mars 2017•Përditësim: 23 Mars 2017
LONDËR (AA) - Sekretari i Jashtëm britanik Boris Johnson tha se sulmi terrorist i kryer dje në Londër nuk është sulmi i parë e as i fundit ndaj këtij qyteti dhe parlamenti, transmeton Anadolu Agency (AA).
Johnson, i cili ndodhet në SHBA, përmes një deklarate në rrjetet sociale e quajti sulmin si të “dhimbshëm”. “Ky nuk është sulmi i parë në Londër apo në Parlamentin tonë dhe nuk do të jetë i fundit. Por, vlerat tona do të fitojnë”, ka thënë ai.
Duke theksuar se ka marrë mesazhe ngushëllimi nga mbarë bota, Johnson tha se “Kjo është një luftë ku ne të gjithë jemi së bashku”.
Operacion në Birmingham
Në anën tjetër sipas mediave britanike, duke i vazhduar hetimet lidhur me sulmin, policia ka zhvilluar një bastisje në një shtëpi në qytetin Birmingham.
Njoftohet se në këtë operacion janë arrestuar 3 persona.
Birmingham njihet si qyteti në të cilin jeton më së shumti popullsia muslimane në Britani.
Oficeri i lartë i policisë përgjegjës për luftën kundër terrorizmit në Britani Mark Rowley, në një deklararatë të dhënë mbrëmë ka thënë se identiteti i autorit të sulmit dihet, por akoma nuk do të bëhet i ditur. Ai ka njoftuar se konsiderojnë që autori i sulmit "është frymëzuar nga terrorizmi ndërkombëtar".
Ditën e djeshme në Londër, një person identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur, në urën Westminster drejtoi automjetin drejt njerëzve dhe më pas ndaloi duke u përplasur në kangjellat e parlamentit britanik. Sulmuesi pasi ka dalë nga automjeti ka sulmuar me thikë një polic të parlamentit, ku dhe me pas u neutralizua pasi u qëllua nga policia britanike.
Policia njoftoi se si pasojë e sulmit kanë vdekur 5 persona, duke përfshirë edhe sulmuesin dhe që 40 të tjerë janë plagosur.