Emre Aytekin
26 Prill 2017•Përditësim: 26 Prill 2017
RIO DE JANEIRO (AA) – Demonstrata paqësore e organizuar nga vendasit e Amazonës përballë ndërtesës së Kongresit Kombëtar në Brazil, u shndërrua në përleshje, raporton Anadolu Agency (AA).
Vendasit e Amazonës gjatë javës së fundit po zhvillonin një demonstratë duke u ulur në kampusin e Kongresit në kryeqytetin Brazilia. Mirëpo pas ndërhyrjes së policisë, filloi një përleshje mes protestuesve dhe policisë, ku forcat sigurisë u përpoqën të shpërndajnë demonstruesit me gaz lotsjellës, kurse protestuesit iu kundërvënë atyre me shigjeta dhe shtiza.
Zyrtarët policorë njoftuan se protestuesit kanë tejkaluar kufijtë e caktuar në bazë të marrëveshjes për demonstratë të arritur më parë, duke iu afruar shatërvanit i cili ndodhet në qendrën përballë Kongresit.
Ndërkaq, protestuesit nuk pranuan pretendimin e tejkalimit të kufijve duke theksuar se policia po kërkon justifikime për t’i shpërndarë demonstruesit. Nuk ka të plagosur në incidentin e ndodhur, kurse demonstruesit njoftuan se së paku 4 protestues janë arrestuar.
Policia nuk konfirmoi arrestimet dhe nuk dha informacione të mëtejshme lidhur me incidentin. Në shtetin më të madh të Amerikës Jugore në Brazil banon një numër i madh i popullsisë vendase, shumica e të cilëve jetojnë në pellgun e lumit Amazon.
Protestë në lagjen e të varfërve
Në anën tjetër gjatë javës së fundit në lagjen e të varfërve Alemao të qytetit më të madh të këtij shteti në Rio de Janeiro, po intensifikohen përleshjet mes bandave kriminale dhe forcave të sigurisë. Kurse qytetarët kanë dalur për t’i kundërshtuar këto përleshje, si rezultat i të cilëve humbën jetën 4 persona kurse 6 të tjerë janë plagosur.
Banorët e kësaj lagjeje kanë thënë se përleshjet janë intensifikuar pas ndërtimit të një kulle vrojtimi nga forcat e sigurisë si dhe së fundmi pas incidentit ku me një plumb qorr ishte vrarë një fëmijë 13 vjeçar.