Burak Bir
17 Gusht 2023•Përditësim: 18 Gusht 2023
Greva e operatorëve në aeroportin Gatwick të Britanisë në Londër është anuluar pasi ata morën një ofertë "të përmirësuar ndjeshëm" për rritjen e pagave, njoftoi sindikata, raporton Anadolu.
Greva e punëtorëve të Red Handling në aeroportin e Londrës ishte planifikuar të zhvillohej nesër.
"Punëtorët që janë anëtarë të Unite, sindikata kryesore në Britani të Madhe, morën një ofertë të rishikuar të mërkurën vonë dhe ne tani do të votojmë për marrëveshjen e propozuar", tha sindikata.
Po ashtu u theksua se e kanë ndërprerë grevën në shenjë të vullnetit të mirë.
"Unite ka qenë konsistent që nga fillimi, ne besuam se Red Handling mund të bënte një ofertë të përmirësuar dhe u dëshmua se ishte kështu", tha zyrtari rajonal i Unite, Dominic Rothwell.
Nëse anëtarët refuzojnë ofertën, detajet e së cilës sindikata nuk i ka bërë të ditura, një grevë e re do të mbahet nga 25 deri më 28 gushti.