Ahmet Gürhan Kartal
17 prill 2020•Përditësim: 18 prill 2020
Mbretëria e Bashkuar sot konfirmoi 847 vdekje të reja nga koronavirusi i ri (COVID-19) gjatë 24 orëve të fundit, me çka numri i përgjithshëm i viktimave shkon në 14.576, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i të infektuarve me COVID-19 në Britani ka shkuar 108.599, pasi në 24 orët e fundit janë regjistruar 5.599 raste.
Ndërkaq, vendi ka kryer 13.943 teste në 24 orët e kaluara, duke e çuar numrin e përgjithshëm të personave të testuar në 341.551, ndërsa së bashku me testet e përsëritura, shifra e plotë arrin në 438.991.
Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, tha se lista e personave pa simptoma që do të testohen do të zgjerohet për të përfshirë policët, zjarrfikësit, punonjësit e spitaleve, anëtarët e sistemit gjyqësor, punonjësit e Ministrisë së Punës dhe Pensioneve dhe personelin kritik të administratave lokale.
Qeveria britanike në etapën e parë kishte paraparë përhapje të kontrolluar të virusit për "fitimin e imunitetit kolektiv". Ajo u tërhoq nga ky plan pas raportimeve dhe shqetësimeve se numri i të vdekurve mund të shkojë në mbi 300 mijë.
Vendi më 23 mars kufizoi daljen e qytetarëve në rrugë dhe mbylli bizneset, me përjashtim të marketeve dhe farmacive.
Në Britani nga koronavirusi janë prekur edhe princi Charles më 25 mars, si dhe kryeministri Boris Johnson dhe ministri i Shëndetësisë Matt Hancock më 27 mars.
Boris Johnson u vendos në kujdes intensiv pas vazhdimit të simptomave, dhjetë ditë pas diagnostikimit me koronavirusin, ndërsa u lirua pas tri ditësh.
Ndërkaq, princi Charles dhe ministri Hancock u shëruan pa pasur nevojë për trajtim në spital.
a COVID-19 rritet në 14.576, me 847 vdekje të regjistruara në 24 orët e fundit