Gökhan Kurtaran
01 Maj 2019•Përditësim: 02 Maj 2019
Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Gavin Williamson, është shkarkuar nga detyra, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ai u shkarkua në kuadër të një hetimi lidhur me lëshimin në media të bisedimeve konfidenciale të bëra për kompaninë kineze të celularëve Huawei në Këshillin Kombëtar të Sigurisë.
"Kryeministrja ka kërkuar që Gavin Williamson të largohet nga qeveria për arsye se ka humbur besimin në aftësinë e tij për të shërbyer në rolin e sekretarit të Mbrojtjes dhe si anëtar i kabinetit të saj", thuhet në deklaratën e kryeministrisë.
Më tej thuhet se ministrja britanike për Gratë dhe Barazinë, Penny Mordaunt, është emëruar sekretare e Mbrojtjes.
Javën e kaluar në shtypin britanik pati disa pretendime se qeveria do t'i japë leje të kufizuar kompanisë Huawei për zhvillimin e rrjetit 5G.
Më pas qeveria dhe shërbimet e inteligjencës vendosën për hetimin e burimit të lajmeve të pretenduara.
Këshilli Kombëtar i Sigurisë mbledhjet i zhvillon çdo javë nën kryesimin e kryeministres, pjesëmarrjen e ministrave si dhe zyrtarë të lartë të forcave të armatosura dhe shërbimeve të inteligjencës.