Zuhal Demirci
16 Gusht 2021•Përditësim: 16 Gusht 2021
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe njoftoi se është realizuar fluturimi i parë si pjesë e evakuimit të shtetasve dhe personelit britanik që punonin në Ambasadën Britanike në Kabul dhe se këta persona mbrëmë u sollën në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria njoftoi në Twitter se Forcat e Armatosura Britanike mbështetën evakuimin e shtetasve britanikë dhe afganëve që kanë të drejtë për zhvendosje si pjesë e Programit të Zhvendosjes dhe Ndihmës së Afganëve (ARAP).
Forcat e Armatosura Britanike dje dërguan avionë në Afganistan për të ndihmuar në evakuimin e shtetasve britanikë dhe personave që kanë të drejtë për zhvendosje për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Afganistan.
Fluturimi i parë u bë për të evakuuar personelin britanik dhe afganët që punonin me ta, me avionin që mbërriti në kryeqytetin afgan Kabul të cilët mbrëmë u sollën në Britani.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace në një deklaratë tha se ana ushtarake e aeroportit të Kabulit ishte "e sigurt" dhe Britania po bënte gjithçka të mundshme për të evakuuar si shtetasit britanikë ashtu edhe afganët që punonin për britanikët.
Duke theksuar se dje 300 persona me pasaporta britanike u larguan nga Afganistani, Wallace tha se qeveria synon t'i evakuojë nga vendi 1.500 të tjerë brenda 24 deri në 36 orë ose pak më gjatë.
Britania u bëri thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Afganistani menjëherë për shkak të shqetësimeve të sigurisë në këtë vend.
Ministri Wallace më 13 gusht njoftoi se 600 trupa do të dërgoheshin në Afganistan për të evakuuar diplomatët, ushtarët, qytetarët si dhe afganët që punonin me ta.