Aslı Aral
03 dhjetor 2015•Përditësim: 03 dhjetor 2015
LONDËR (AA) – Parlamenti i Britanisë së Madhe mbrëmë votoi aprovimin për të marrë pjesë në operacione ajrore kundër organizatës terroriste DAESH në Siri, ndërsa menjëherë pas kësaj avionët ushtarak britanik realizuan dy sulme të ashpra ajrore ndaj pozicioneve terroriste në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi se katër avionë ushtarakë të llojit Tornado të forcave ajrore britanike, mbrëmë fluturuan nga baza në Qipro, ku dy prej tyre kryen sulmet e para në Siri ndërsa në bazë janë kthyer sot në ora 3 të mëngjesit sipas kohës lokale.
Sot pritet edhe një njoftim i ri nga Ministria lidhur me detajet e objektivave të qëlluara.
Në bazën ajrore në Qipro, Britania e Madhe që nga viti i kaluar ka tetë avionë që deri më tani i ka shfrytëzuar për sulme ajrore të koalicionit në pozita terroriste në Irak. Për shkak të operacioneve në Siri, autoritetet britanike paralajmëruan rritjen e flotës së tyre ajrore në këtë bazë.
Pas debatit 11 orësh në Dhomën e Poshtme, Parlamenti britanik mbrëmë me 397 vota pro dhe 223 kundër votoi aprovimin për fillimin e sulmeve ajrore në Siri.