Ahmet Gürhan Kartal
23 Dhjetor 2019•Përditësim: 25 Dhjetor 2019
Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, ka deklaruar se Arabia Saudite “duhet të garantojë” që të gjithë ata që janë përgjegjës për vrasjen brutale të gazetarit Jamal Khashoggi të japin llogari, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas vendimit të gjykatës saudite për dënimet me vdekje ndaj pesë personave për përfshirje në vrasje, Raab në një deklaratë me shkrim e përshkroi vrasjen si një “krim të tmerrshëm”.
“Familja e z. Khashoggi meriton të shohë drejtësinë për vrasjen e tij brutale. Arabia Saudite duhet të garantojë që të gjithë ata që janë përgjegjës të japin llogari dhe që një mizori e tillë të mos ndodhë kurrë më”, tha Raab.
Një deklaratë nga Zyra e Jashtme po ashtu shprehu kundërshtimin e Mbretërisë së Bashkuar për përdorimin e dënimit me vdekje në të gjitha rrethanat si “çështje parimore”.
Khashoggi, një kolumnist i "The Washington Post" dhe banor i SHBA-ve, u vra pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor të vitit 2018, në një vizitë për të marrë një dokument për martesën e tij.
Pas 18 ditëve të mohimit të vrasjes nga Riadi, autoritetet saudite thanë se ai ishte vrarë në një zënkë që shpërtheu midis tij dhe 18 sauditëve dhe i arrestuan ata për hetime pa dhënë detaje të tjera mbi vrasjen ose vendndodhjen e trupit të Khashoggit.
Raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara (OKB), Agnes Callamard, në një raport konkludoi se vrasja e Khashoggit ishte “ekzekutim i qëllimshëm dhe me paramendim”. Ajo inkurajoi një hetim ndaj Princit të Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman.
Megjithatë, zyrtarët sauditë kanë këmbëngulur se princi saudit nuk ishte i përfshirë në vrasje.