Hasan Esen
22 Prill 2022•Përditësim: 22 Prill 2022
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson tha se javën e ardhshme do të hapin sërish ambasadën britanike në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, transmeton Anadolu Agency (AA).
Johnson zhvilloi një konferencë për media pas takimit me kryeministrin Narendra Modi gjatë vizitës në Indi.
"Pika e re e fokusimit të presidentit rus Vladimir Putin është 'barbarizimi' në rajonin Donbas", deklaroi Johnson i cili vuri në dukje se duke pasur parasysh veçanërisht "sulmet brutale" në Mariupol do t‘i dërgojnë Ukrainës më shumë armë të rënda të tilla si topa.
"Qëndrueshmëria dhe suksesi i jashtëzakonshëm i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe popullit të Ukrainës në rezistencën kundër forcave ruse në Kiev, nënkupton se mund të njoftoj që javën e ardhshme do të hapim sërish ambasadën tonë në kryeqytetin e Ukrainës", tha Johnson.
Ai theksoi se Britania dhe aleatët e saj nuk do qëndrojnë duke shikuar teksa Putini vazhdon sulmet e tij.
Kryeministri britanik, pas një pyetjeje tha se vlerësimet e agjencive perëndimore të inteligjencës se lufta mund të vazhdojë deri në fund të vitit të ardhshëm dhe se Rusia mund ta fitojë luftën janë "një mundësi realiste".
Putin ka një "ushtri gjigante", potencoi Johnson i cili shtoi se "Ka një pozicion politik shumë të vështirë sepse ka bërë një gabim tmerrshëm. Alternativa e vetme që ai ka në të vërtetë për momentin është të vazhdojë të përdorë qasjen e tmerrshme bluarëse të udhëhequr nga artileria për të shtypur ukrainasit. Është shumë pranë formimit të një ure tokësore në Mariupol. Në këtë fazë situata nuk mund të parashikohet".
Duke vënë theksin se në këtë pikë populli ukrainas duhet të mbështetet në aspektin ushtarak, Johnson tha se ka nevojë të eliminohet mundësia e një pushtimi tjetër në të ardhmen i cili në të ardhmen do të sigurojë garancitë e sigurisë falë një marrëveshjeje që do të arrihet me negociata.