Şerife Çetin
10 Korrik 2017•Përditësim: 11 Korrik 2017
BRUKSEL (AA) - Realizohet takimi i fillimit të programit për ndalimin e dhunës kundër grave i cili përfshin vendet e Ballkanit me Turqinë dhe i cili është nisur nga Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takimin e zhvilluar në Bruksel me temë "Ndalimi i dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi" nga Turqia ka marrë pjesë kryetarja e komisionit të mundësive të barabarta në Parlamentin e Turqisë dhe deputetja e AK Partisë në qytetin Kocaeli, Radiye Sezer Katırcıoğlu.
Drejtoresha rajonale e zyrës së grave në OKB, Alia el Yassir, në një fjalim, duke bërë vlerësimin e përgjithshëm rreth takimit është shprehur se është shumë i rëndësishëm programi 3 vjeçar që BE-ja dhe OKB-ja kanë nisur për Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë.
Duke bërë të ditur se për programin është ndarë një buxhet afërsisht prej 5.5 milionë euro nga BE-ja, Yasir ka theksuar se programi synon zbatimin e rregulloreve ligjore dhe zbatimin e normave për ndalimin e dhunës kundër grave në vendet në fjalë si dhe ndërgjegjësimin në këtë çështje dhe rritjen e përfaqësimit të grave.
Ndërsa Genoveva Ruiz Calavera, drejtuese e Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerim, në fjalën e saj duke theksuar se dhuna ndaj gruas është një problem global, tha se "Kërkimet e bëra në BE tregojnë se 1 në çdo 4 persona njeh një grua që përballet me dhunën. Kjo është një situatë shqetësuese."
Më tej Calavera ka shtuar se për ndalimin e dhunës kundër gruas duhet të zbatohet marrëveshja e Stambollit dhe se arsimimi i shoqërisë në këtë çështje duhet të nisë që në moshë të vogël.
Ndërsa përfaqësuesja e Përhershme e Estonisë në BE, ambasadorja Kaja Tael, ka theksuar se Estonia gjatë procesit 6 mujor të presidencës së BE-së, ka marrë përsipër do të diskutojë si çështje parësore temat për barazinë gjinore dhe dhunën kundër grave.
"Duhet të zhvillohen punime në të gjithë vendet për përhapjen e kulturës së ndërgjegjësimit. Mos denoncimi i dhunës kundër gruas është një prej problemeve themelore në të gjithë botën", është shprehur Tael duke vënë në dukje rëndësinë e bashkëveprimit së bashku të institucioneve të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare, qeverive kombëtare dhe zyrtarëve lokalë në përpjekjet për të luftuar dhunën kundër grave.
Tael ka nënvizuar se në të gjithë Evropën vetëm 1 në 10 gra të ekspozuara ndaj dhunës denoncojnë situatën në polici.
Raportuesja Speciale e OKB-së për dhunën ndaj grave, Dubravka Simonovic, në fjalën e sajë është shprehur se "dhuna ndaj gruas është shkelje të drejtave të njeriut" dhe ka ndarë informacionin se në mesin e objektivave të Zhvillimit të qëndrueshëm 2030 të OKB-së qëndrojnë temat barazia gjinore, forcimi i gruas dhe ndalimi i dhunës ndaj grave.