James Tasamba
31 gusht 2023•Përditësim: 31 gusht 2023
Kabineti i Burkina Fasos i ka dhënë qeverisë leje për të dërguar trupa për të ndihmuar në mbrojtjen e Nigerit fqinj, ku ushtria rrëzoi presidentin Mohamed Bazoum rreth një muaj më parë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të kabinetit thuhet se qeverisë iu lejua të vendoste një kontingjent ushtarak në Niger "në përputhje me angazhimet strategjike të vendit".
"Pa nxitur luftën, duhet theksuar se ky angazhim është bërë për parandalim dhe në interesin më të mirë të luftës sonë kundër terrorizmit, një aspiratë e thellë e popullit Burkinabe", tha ministri i Mbrojtjes, Kassoum Coulibaly.
"Ajo që ndikon në sigurinë e Nigerit, ndikon thelbësisht në sigurinë e Burkina Fasos", shtoi ai.
Javën e kaluar, administrata ushtarake e Nigerit autorizoi trupat nga Mali dhe Burkina Faso të ndërmjetësojnë "në rast agresioni" pas kërcënimeve për ndërhyrje ushtarake nga një forcë e Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) që kërkon të rivendosë presidentin Mohamed Bazoum.
Nigeri u zhyt në trazira më 26 korrik kur gjenerali Abdourahamane Tchiani, një ish-komandant i gardës presidenciale, drejtoi një ndërhyrje ushtarake që rrëzoi presidentin Bazoum.
Juntat ushtarake në Burkina Faso dhe Mali kanë deklaruar mbështetjen e tyre të fortë për administratën ushtarake në Niger.