Recep Şakar
26 Janar 2018•Përditësim: 26 Janar 2018
MELBOURNE (AA) – Aborixhinët dhe dhjetra mijëra persona kanë organizuar protesta nëpër vende të ndryshme të Australisë kundër festimit të "Ditës së Australisë", e cila shënon arritjen e flotës së parë britanike në këtë vend më 26 janar të vitit 1788, duke e quajtur atë si "Dita e Invazionit", raporton Anadolu Agency (AA).
Dita e Australisë, e cila është festë shtetërore dhe shënohet me aktivitete të ndryshme çdo vit më 26 janar, këtë vit u shoqërua me protesta masive.
Ashtu sikurse në kryeqytetet e shteteve të ndryshme në Australi, edhe në Melburn, qindra australianë me përkatësi të ndryshme etnike që morën pjesë në parakalimin zyrtar në Rrugën Swanston në qendër të qytetit, tërhoqën vëmendje me veshje dhe muzikë tradicionale.
- Protestuesit kërkuan ndryshimin e historisë
Popullata vendase, aborixhinët, dhe dhjetra mijëra australianë që kanë mbështetur ata, mbrojnë qëndrimin se flota e parë britanike ka kryer gjenocid ndaj popullatës civile pas zbarkimit në kontinent më 26 janar të vitit 1788, duke organizuar protesta kundër ceremonive zyrtare në tërë vendin dhe duke e shpallur këtë ditë si "Dita e Invazionit".
Të mbledhur para Parlamentit Federal të Victorias në Melburn me rroba tradicionale, aborixhinët brohoritën slogane si dhe mbanin pankarta me mbishkrime si "Gjithnjë ishte vend i aborixhinëve, gjithnjë do të mbetet i tillë", "Nuk ka krenari me gjenocid", "Të ndryshohet historia", "Tokë e vjedhur", "Pse e festoni gjenocidin" dhe "Hiqeni Ditën e Australisë".
Pas përfundimit të ceremonive zyrtare, protestuesit kanë marshuar deri në Rrugën Swanston, duke thënë para qytetarëve të pranishëm se 26 janari është ditë e mbushur me dhimbje për popullatën vendase dhe duke bërë thirrje që të kontaktojnë me politikanët që kanë zgjedhur për ta ndryshuar këtë datë.
Protestuesit vazhduan marshimin, ndërsa duke bllokuar qarkullimin rrugor në udhëkryqin e Stacionit Flinders, vazhduan të protestojnë me vallëzime tradicionale të aborixhinëve.