Ekip
03 Dhjetor 2016•Përditësim: 04 Dhjetor 2016
ZAMBOANGA (AA) – Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, deklaroi të shtunën se presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump i ka shprehur përkrahje për fushatën anti-drogë të qeverisë së Filipineve, raporton Anadolu Agency (AA).
GMA News lajmëroi të shtunën se zyra presidenciale ka publikuar një transkript nga biseda telefonike e zhvilluar të premten, në të cilën Trump është cituar të ketë thënë se “ka mirëkuptim për qasjen e administratës së Dutertes gjatë fushatës."
“Presidenti i posagjedhur Trump përcjell përshëndetjet e tij të ngrohta për popullin filipinas. Gjatë disa minutave biseduam për shumë çështje”, tha Duterte.
Në disa raste Duterte kishte akuzuar presidentin në largim të SHBA-ve, Barack Obama, pasi ai shprehu shqetësimin për vrasjet pa gjyq në kuadër të fushatës e cila ka lënë të vdekur mijëra të dyshuar.
Duterte tha se komentet e Trumpit i konsideron si një shenjë se administrata e tij nuk do të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Filipineve.
“Ishte shumë i ndjeshëm lidhur me shqetësimin tonë për drogën. Më uroi suksese dhe shtoi se jemi duke vepruar drejtë si një shtet sovran. Ne e siguruam atë për lidhjet tona me Amerikën”, tha më tej ai.
Që nga 1 korriku mbi 5.800 persona janë vrarë nën dyshimet se janë të përfshirë në rrjetin e drogës. Rreth dy të tretat e vrasjeve i atribuohen eliminimit nga grupe njerëzish, flasin të dhënat e policisë së Filipineve.
Pavarësisht nga kritikat që ka marrë nga Obama i cili në shtator anuloi një takim me Duterte, ky i fundit ka bërë komente mikpritëse ndaj Trumpit.