Rreth 600 persona vazhduan sot të kampojnë në sheshin "Puerta del Sol" në Madrid, duke kërkuar masa kundër dëbimeve dhe rritjes së madhe të kostove të strehimit, pasi një grua e moshuar u detyrua të largohej nga shtëpia ku kishte jetuar për shumë vite, transmeton Anadolu.
"Është e vështirë, por kjo po rritet. Me çdo minutë, çdo orë që kalon, ka më shumë tenda, më shumë njerëz, më shumë vendosmëri, më shumë shpresë, më shumë pritshmëri dhe më shumë forcë për të arritur gjithçka që kemi vendosur të bëjmë", tha sot për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE Gonzalo Alvarez, zëdhënës i sindikatës së qiramarrësve të Madridit që organizon protestën.
EFE vlerëson se janë ngritur rreth 350 tenda. Protesta u nxit nga dëbimi i 87-vjeçares Maricarmen, e cila kishte jetuar në shtëpinë e saj për 71 vjet. Me një pension mujor prej 1.400 eurosh, ajo nuk kishte ndaluar kurrë së paguari qiranë dhe faturat, të cilat arrinin në rreth 500 euro në muaj, sipas të përditshmes spanjolle "El Pais".
Një kompani imobiliare bleu shtëpinë e saj në vitin 2018 dhe më vonë kërkoi ta rriste qiranë në 2.650 euro, duke e ulur kërkesën në 1.650 euro gjatë negociatave, shumë kjo ende më e lartë se pensioni i saj. Policia e largoi me forcë të mërkurën ndërsa qindra protestues u përpoqën të pengonin dëbimin. Sipas raportimeve, që atëherë ajo po qëndron në një spital.
Protestat vazhduan në ditët në vijim, ndërsa protestuesit ngritën kampin në Puerta del Sol të shtunën për të kërkuar veprim të menjëhershëm nga qeveria.
"Ne kërkojmë që qeveria të ecë drejt një modeli të ri strehimi, në të cilin strehimi është një e drejtë dhe jo një biznes për disa persona", tha sot për transmetuesin Cadena SER Fernando de los Santos, zëdhënës i sindikatës së qiramarrësve të Madridit.
Qeveria ka thënë se po punon "kundër kohës" për të miratuar të martën një dekret për strehimin, duke rikthyer masat nga një ligj që nuk arriti të miratohej në parlament në korrik.
Negociatat përfshijnë mbështetje për të rinjtë që blejnë shtëpi, mbrojtjen e banesave publike dhe kufizime për fondet e investimeve që blejnë prona rezidenciale. Në diskutim janë gjithashtu masa tatimore që prekin pronarët, qiramarrësit, qiratë turistike dhe ndërtimin e banesave të përhershme me çmime të përballueshme dhe të mbrojtura.